Gazetari Osman Stafa bëri me dije ditën e sotme se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka publikuar një thirrje zyrtare, përmes së cilës u bën apel qytetarëve shqiptarë që të kontribuojnë me donacione për sigurimin e pajisjeve informatike dhe aparaturave mjekësore jetike, të cilat sipas institucionit janë të nevojshme për përmirësimin e shërbimit ndaj pacientëve.
Në dokumentin e publikuar nga QSUT, i cili është shpallur si “Kërkesë për Donacion” renditen në mënyrë të detajuar nevojat aktuale të spitalit. Mes tyre përfshihen 281 kompjuterë, 210 printerë, fotokopje multifunksionale, si dhe një sërë pajisjesh mjekësore, ndër to 15 respiratorë, defibrilatorë, monitorë pacientësh, elektrobisturi, kulla endoskopie dhe kolonoskopie, EKG, EEG, mikroskopë kirurgjikalë e pajisje të tjera të domosdoshme për ofrimin e shërbimit shëndetësor.
Duke iu referuar dokumentit, Stafa tha se QSUT po u kërkon qytetarëve dhe bizneseve të kontribuojnë për blerjen e këtyre pajisjeve, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre llogaritet në rreth 3.4 milionë euro.
“Behet thirrje publike nga QSUT për donacione nga njerëzit, ndërkohë që kostoja e te gjitha këtyre pajisjeve është 3.4 milione euro. Këto pajisjet qe unë rendita qe janë pajisje jetëshpëtues për qytetaret shqiptare dhe qe shkojnë do kishte shkuar 3.4 milionë euro”, tha Stafa teksa në duar mbante këtë dokument i cili vlen të theksohet se nuk dihet kujt date i përkiste, ndërkohë që vetëm disa orë pas kësaj deklarate të gazetarit erdhi një reagim dhe nga vetë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale sqaroi se publikimi i listës së nevojave për donacione nuk është një nismë e rastësishme apo çështje zgjedhjeje, por një detyrim që buron nga ligji në fuqi për transparencën dhe administrimin e fondeve e pasurisë publike.
Sipas QSUT-së publikimi i informacionit për donacionet dhe nevojat e institucionit bëhet në zbatim të legjislacionit për të drejtën e informimit dhe standardeve të transparencës që zbatohen për të gjitha institucionet publike. Spitali thekson se lista është hartuar mbi bazën e kërkesave të paraqitura nga shërbimet e tij pranë Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike dhe synon të evidentojë në mënyrë transparente nevojat ekzistuese, duke garantuar koordinimin dhe administrimin institucional të çdo donacioni të mundshëm.
“Publikimi i donacioneve nuk është çështje zgjedhjeje, por një detyrim ligjor që buron nga kuadri në fuqi për transparencën, të drejtën e informimit dhe administrimin e pasurisë publike. Në zbatim të Ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit", Programit të Transparencës, si dhe legjislacionit që rregullon administrimin e fondeve dhe pasurive publike, Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT), si institucion publik, ka detyrimin të bëjë publik informacion mbi veprimtarinë e saj, përfshirë edhe donacionet e përfituara. Ky është një standard i detyrueshëm i transparencës dhe llogaridhënies për të gjitha institucionet publike.
Lista e donacioneve e publikuar është hartuar në kuadër të korrespondencës institucionale me shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", bazuar në nevojat që ato kanë paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Publikimi i kësaj liste synon të sigurojë evidentimin, koordinimin dhe administrimin transparent të kërkesave të shërbimeve, në përputhje me procedurat institucionale dhe legjislacionin në fuqi. Ky publikim nuk krijon të drejta apo përparësi për përfitimin e donacioneve, por garanton transparencë mbi nevojat e identifikuara nga shërbimet dhe mbi procesin institucional të administrimit të tyre”, thuhet në reagimin e spitalit.
