Hapësire reklamuese

Politikë

Edi Rama flet për marrëdhënien e tij me Vuçiçin, tregon dhe arsyen se pse u kritikua “Ballkani i Hapur”: Bashkëpunimi me atë, jo i lehtë dhe sfidues

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama flet për marrëdhënien e tij me Vuçiçin,
Foto arkiv: Vucic dhe Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nisma  “Ballkani i Hapur” u kritikua dhe u konsiderua një projekt i gabuar jo për shkak të përmbajtjes së saj, por për faktin se u promovua nga ai dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se perceptimi ndaj kësaj nisme u ndikua më shumë nga paragjykimet politike sesa nga vetë objektivat që ajo synonte të realizonte.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, nëse emrat e tij dhe të Vuçiçit nuk do të ishin lidhur me këtë projekt dhe do të zëvendësoheshin nga figura të tjera politike të rajonit, iniciativa do të ishte vlerësuar krejt ndryshe.

“U konsiderua një ide e tmerrshme vetëm për një arsye, sepse unë dhe Vuçiçi ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, le të themi, pesë të tjerë, do të shihej si një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, tha Rama.

Duke folur për raportin e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Rama e përshkroi bashkëpunimin mes tyre si një proces jo të lehtë, duke e cilësuar atë si një partner me të cilin diskutimet dhe bashkëpunimi kanë qenë gjithmonë sfidues.

Në këtë intervistë ai ndaloi edhe te zhvillimet në Mal të Zi, për të cilin shprehu vlerësim të lartë lidhur me transformimin që ka kaluar vitet e fundit. Rama tha se ky shtet ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në imazhin dhe funksionimin e tij, duke kaluar nga një vend që shpesh lidhej me kontrabandën në një histori suksesi që sot gëzon respekt dhe vlerësim.

Megjithatë, kryeministri nënvizoi se pavarësisht progresit të arritur, mbetet ende punë për t’u bërë për të përmbushur objektivat afatgjata.

“Mali i Zi ka bërë një punë të jashtëzakonshme në transformimin e vetes, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelen; e respektoj vërtet këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, tha Rama ndër të tjera.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese