Për të 44 ditën radhazi, qytetarë të shumtë janë mbledhur sërish në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë Rama dhe largimin e klasës së vjetër politike. Fillimisht ata u mblodhën në sheshin Skënderbej dhe më pas vazhduan ashtu sikurse çdo ditë tjetër para ambienteve të Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër politikës, ndërsa gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëria kërkon revolucion" dhe "Atdheu nuk është në shitje".
Në tubimin e mbajtur para Kryeministrisë një nga organizatorët e protestës, Edison Lika, iu drejtua të pranishmëve me një apel për të vijuar mobilizimin qytetar, duke theksuar se protesta do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj.
Lika deklaroi se, sipas tij shqiptarët duhet të heqin dorë nga pushimet verore këtë vit dhe të përqendrohen te protesta.
"Ne duam që familjet tona të jetojnë në Shqipëri dhe jo të detyrohen të largohen jashtë. Qëllimi ynë është të ndërtojmë të ardhmen këtu dhe nuk do të ndalemi derisa kjo të bëhet realitet. Këtë verë, vendi ynë ka nevojë për angazhimin e qytetarëve më shumë se kurrë", u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me kërkesën për ndryshime politike dhe institucionale, ndërsa theksuan se mobilizimi qytetar do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
