Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Paris në Samitin e Koalicionit të organizuar në mbështetje të Ukrainës, me ftesë të presidentit të Francës Emmanuel Macron.
Samiti i zhvilluar në prag të Festës Kombëtare të Francës dhe paradës tradicionale ushtarake të 14 Korrikut, mblodhi së bashku liderë të shteteve dhe qeverive aleate, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky si edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me fokus koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kievin.
Vetë kryeministri shqiptar ka ndarë në rrjetet sociale një album me foto nga pjesëmarrja në samit, ku bie në sy momenti i pritjes së tij nga presidenti francez Emmanuel Macron. Në fotografitë e publikuara, dy liderët shihen teksa shtrëngojnë duart miqësisht.
Marrëdhënia mes Ramës dhe Macron është forcuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa të dy liderët kanë ritheksuar në disa raste vullnetin për të thelluar bashkëpunimin strategjik dhe për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës në fusha të ndryshme.
Por albumi fotografik i shpërndarë nga Rama ka sjellë edhe një tjetër moment që nuk ka kaluar pa u vënë re. Bëhet fjalë për takimin me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis me të cilin shihet teksa shtrëngon duart gjatë punimeve të samitit.
Takimi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy kryeministrave kanë njohur jo pak ulje ngritje. Vetëm pak kohë më parë në kulmin e protestave në vend, Rama hodhi akuza se Greqia qëndronte pas tyre, pretendime që u hodhën poshtë në mënyrë kategorike nga Athina zyrtare.
Saakq theksojmë se pjesëmarrja e Ramës në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve riafirmon mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe angazhimin e saj në krah të aleatëve për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe së drejtës ndërkombëtare.
