Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka folur në emisioni “Now” me Erla Mëhillin, në Euronews, për një sulm të koordinuar që po godet sektorin e turizmit. Ai tha se turistëve u janë dërguar mesazhe private në telefonat e tyre nga kontakte të panjohura ku i nxisin ata të anulojnë rezervimet.
Ai tha se synimi i këtij fenomeni është të dëmtojë besimin e turistëve dhe të krijojë një efekt negativ te sipërmarrësit.
“Rezultojnë 8 sinjalizime dhe rreth 50 biznese të prekura. Dyshimet janë për një sulm kibernetik të koordinuar. Materialet janë sinjalizime nga sipërmarrës, në rastin tonë në Vlorë. Mua, si përfaqësues i qarkut, më kanë sinjalizuar gjithashtu. Evidentohen mesazhe të dërguara ndaj personave, turistëve që kanë bërë rezervime në hotele në Vlorë.
Mesazhet u dërgohen në WhatsApp nga një kontakt i panjohur, i cili u thotë se rezervimi nuk është konfirmuar plotësisht dhe jep arsye pse nuk është i vlefshëm, duke i nxitur praktikisht njerëzit të anulojnë prenotimin.
Gjurmueshmëria e sulmeve kibernetike është elementi më kompleks për t’u evidentuar. Unë kam qenë titullar në institucione që janë marrë me këto çështje dhe di të them se është një problem që duhet hetuar plotësisht.
Policia e Shtetit, e cila ka kompetencën teknike dhe juridiksionin për ta bërë këtë hetim, ka dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për një sulm të koordinuar, me dëshirë për të pasur impakt në biznes dhe të përqendruar në kohë. Qëllimi është të krijohet efekt negativ tek sipërmarrësit e turizmit në vendin tonë.
Policia po mbledh të gjitha elementet për të parë nga është nxitur ky sulm.”, tha Vengu.
