Ka reaguar nga arratia Ylli Zalla, i shumëkërkuari i drejtësisë i cili akuzohet se ka gisht në atentatin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Muçi Shaljani dhe Gilmando Dani, ky i fundit një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Emiljano Shullazit.
Në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, Zalla i ka bërë thirrje drejtësisë që të zbardhë atentatin e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ndërsa ka mohuar çdo përfshirje të tij në ngjarje.
I pyetur se çfarë do t’i thoshte Shullazit pas vrasjes së Danit, Zalla është shprehur se ka pasur kontakte për një përballje mes tyre, duke theksuar se kërkon që gjithçka të zgjidhet “si burrat”.
“Shullazi e di. Jemi në bisedime që ta bëjmë be me zakon si burrat. Shullazit ia bëj be si të dojë ai, sepse nuk kam lidhje fare me atë ngjarje. Me burrëri, me be, me zakon, si të dojë ai”, ka deklaruar Zalla.
Gilmando Dani u ekzekutua pasditen e 11 nëntorit të vitit të kaluar në rrethrrotullimin e Rinasit. Ai konsiderohej si një nga figurat kryesore të grupit të Shullazit jashtë qelisë dhe personi që mbante lidhjet mes anëtarëve të grupit jashtë qelisë dhe “kokës” së grupit i cili prej vitesh ndodhet në burg.
Spartak Koka: Çfarë do i thuash Emiliano Shullazit se i kanë vrarë krahun e djathtë?
Ylli Zalla: Shullazit e di ai, jemi bisedime që ti bëj be me zakon si burrat. Shullazit ja bëj be si të dojë ai, sepse nuk kam lidhje fare me atë ngjarje. Me burrni me be me zakon si të dojë ai.


