Një tjetër ikonë e artit shqiptar është shuar mëngjesin e kësaj të marte. Aktori i njohur i humorit, Todi Llupi ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në skenën shqiptare dhe një boshllëk të madh në artin e humorit.
Vetëm pesë muaj më parë ai kishte festuar ditëlindjen e tij të 78-të, ndërsa sot publiku shqiptar i jep lamtumirën një prej emrave që për më shumë se pesë dekada solli buzëqeshje në mijëra familje shqiptare.
Me një karrierë të pasur artistike, Todi Llupi u bë pjesë e Estradës Profesioniste të Fierit në vitin 1971, ku krijoi dhjetëra personazhe të paharrueshme. Interpretimi i tij mjeshtëror, përdorimi i dialektit myzeqar dhe aftësia për të sjellë në skenë personazhe autentike e kthyen në një nga figurat më të dashura të humorit shqiptar.
Publiku do ta kujtojë gjithmonë për rolin legjendar të Malos në skeçin "Do martojmë Malon", por edhe për interpretimet në filmat "Pesha e kohës", "Ardhur nga ëndrrat", "Amnistia" dhe "Para perëndimit të diellit". Për kontributin e tij të çmuar në art dhe kulturë në vitin 1989 ai u nderua me titullin "Artist i Merituar".
Por, pas buzëqeshjes që dhuronte në skenë, jeta e Todi Llupit mbarti edhe një dhimbje të madhe. Për më shumë se një dekadë ai jetoi me plagën e humbjes së vajzës së tij, Dafinës, një tragjedi që sipas atyre që e njihnin nuk reshti kurrë së rënduari zemrën e artistit.
Në mars të vitit 2014, vajza e tij Dafina Llupi, aktore e teatrit "Bylis" në Fier, ndërroi jetë në moshën vetëm 26-vjeçare. Asokohe u raportua se e reja humbi jetën pas konsumimit të një sasie ilaçesh antidepresive. Ishte një ngjarje që tronditi jo vetëm familjen Llupi, por edhe komunitetin artistik, pasi Dafina kishte zgjedhur të ndiqte të njëjtën rrugë si i ati në botën e artit.
Që prej asaj dite ata që e njohën nga afër rrëfenin se Todi Llupi e mbajti gjithmonë me vete dhimbjen e humbjes të së bijës. Edhe pse vazhdoi të mbetej i njëjti artist i dashur për publikun, zemra e tij nuk e kapërceu kurrë plotësisht atë plagë.
Ndërkoëh sot, familjarë, kolegë dhe miq të shumtë do t’i japin lamtumirën një artisti që arriti të shkruante me gërma të arta emrin e tij në artin shqiptar. Newsbomb i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të Artistit të Merituar, Todi Llupi!
Kush ishte Todi Llupi:
Todi Llupi ishte një nga figurat më të spikatura të humorit shqiptar, një artist që për më shumë se pesë dekada i dhuroi publikut të qeshura, personazhe të paharrueshme dhe interpretime që mbeten pjesë e historisë së estradës shqiptare.
I lindur më 1 mars 1948 në Fier, Llupi e nisi rrugëtimin e tij artistik si aktor profesionist në Estradën e Fierit në vitin 1971. Aty ai ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme, duke interpretuar në komedi, skeçe, parodi, monologë, dialogë dhe pantomima, ku spikati për talentin, natyrshmërinë dhe përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar.
Interpretimet e tij u dalluan për personazhet autentike, frymëzuar nga jeta e përditshme dhe shtresat popullore, çka e bëri një nga aktorët më të dashur të humorit shqiptar. Me zërin e tij karakteristik dhe stilin e veçantë të interpretimit ai u kthye në një ikonë të Estradës së Fierit.
Publiku e identifikoi veçanërisht me rolin legjendar të Malos në skeçin humoristik "Do martojmë Malon", një interpretim që vazhdon të kujtohet edhe sot si një nga perlat e humorit shqiptar. Paralelisht me suksesin në estradë, Todi Llupi interpretoi edhe në disa filma artistikë, mes tyre "Ardhur nga ëndrrat", "Pesha e kohës", "Amnistia" dhe "Para perëndimit të diellit".
Për kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare, në vitin 1989 ai u vlerësua me titullin "Artist i Merituar", një nderim që kurorëzoi punën dhe përkushtimin e tij në skenë.

