Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gjykatat i dhanë të drejtë, por nuk futet dot në Aeroportin e Vlorës, Pacolli thirrje SPAK: Na është bërë presion! Ka mashtrim, falsifikime e ndërhyrje në gjyqet tona

Shkruar nga Newsbomb
Gjykatat i dhanë të drejtë, por nuk futet dot në Aeroportin
Ilustrim: Behgjet Pacolli dhe aeroporti i Vlorës

Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli thotë se përfaqësuesit e kompanisë në pronësi të tij, MABCO, nuk kanë marrë ende kontrollin e Aeroportit të Vlorës, pavarësisht se të gjitha gjykatat në Shqipëri, duke përfshirë Gjykatën e Lartë, i kanë dhënë të drejtë.

Ai thotë se ky projekt, më i madhi i realizuar në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, ku MABCO Construction S.A si investitori i huaj dhe financuesi kryesor i projektit ka investuar mjete të konsiderueshme financiare dhe profesionale, vazhdon të mbetet në një situatë të papranueshme juridike dhe faktike.

"Për një periudhë të gjatë, veprime dhe mosveprime që MABCO i konsideron të kundërligjshme kanë penguar vazhdimisht përfundimin e punimeve, procesin e certifikimit dhe vënien në operim të aeroportit. Që nga dita e parë e angazhimit të saj, MABCO ka disponuar dhe vazhdon të disponojë të gjitha kapacitetet teknike, financiare, profesionale dhe organizative për ta përfunduar projektin në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, në prani të institucioneve përgjegjëse dhe pa ndërhyrjen efektive të tyre, MABCO vlerëson se ndaj saj është ushtruar një presion i jashtligjëshem dhe i vazhdueshëm juridik, me pasoja jashtëzakonisht të rënda. Pasojat e kësaj situate nuk i përballon vetëm MABCO, e cila ka një ekspozim financiar që tejkalon 320 milionë euro, por edhe qytetarët shqiptarë, ekonomia e vendit, investitorët e huaj potencialë dhe vetë reputacioni ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë si destinacion për investime", shkruan ai.

Behgjet Pacolli edhe një herë i bën thirrje SPAK-ut që, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës çdo person që mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj situate.

"Sipas qëndrimit të MABCO-s, kjo situatë ka ardhur si pasojë e një sërë veprimesh dhe mosveprimesh, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, mashtrime, falsifikim dokumentesh, Notifikim të jashtëligjeshem të dokumenteve, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore, nxjerrje të vendimeve gjyqësore që më pas janë konstatuar si të paligjshme nga Gjykata e Lartë, moszbatim ose kundërshtim të efekteve juridike të vendimeve të kësaj gjykate, si dhe veprime apo mosveprime institucionale që kanë mundësuar vazhdimin e kësaj gjendjeje.

Këto pretendime rezultojnë të bazuara, dhe bëhet fjalë për një nga rastet më serioze të cenimit të sigurisë juridike dhe të  ABUZIMIT  me  investimet e huaja në Shqipëri, me pasoja të drejtpërdrejta për sundimin e ligjit, besimin e investitorëve dhe interesin publik", shkruan biznesmeni.

Behgjet Pacolli thekson se kompania e tij MABCO mbetet e vendosur që ta përfundojë këtë projekt në përputhje me kontratën, ligjin dhe standardet më të larta profesionale, duke besuar se institucionet e drejtësisë do të veprojnë me pavarësi, paanshmëri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese