Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur ditën e djeshme në provincën e Trentos, ku ka humbur jetën një 42-vjeçar shqiptar.
Sipas mediave italiane, viktima Renis Domi po udhëtonte me motoçikletë kur u përplas me një automjet që drejtohej nga një 67-vjeçare.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 15:30, përgjatë rrugës shtetërore 240 mes zonave Bezzecca dhe Tiarno, në luginën Ledro.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 42-vjeçari pësoi plagë të rënda dhe u transportua me helikopter drejt spitalit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
E plagosur mbeti edhe drejtuesja e automjetit, e cila u dërgua me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.
