Një 27-vjeçar algjerian ka sulmuar me thikë një 23-vjeçare me origjinë marokene në Milano, duke i shkaktuar një plagë të rëndë në fytyrë.
Autoritetet italiane e arrestuan menjëherë të riun, i cili akuzohet për shkaktim të shëmtimit të përhershëm të fytyrës, plagosje të rëndë dhe kundërshtim ndaj forcave të rendit.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së enjtes, pranë linjës M3 të metrosë në Milano. Sipas hetimeve paraprake, 27-vjeçari iu afrua të resë dhe e akuzoi se po e shikonte.
Pas një debati verbal, ai fillimisht e goditi me grusht dhe më pas e sulmoi me një thikë të vogël, duke i shkaktuar një prerje të thellë që shtrihej nga cepi i gojës deri në qafë.
Sipas dëshmitarëve, gjatë përplasjes i dyshuari i është drejtuar viktimës me fjalët: “Ti je grua. Unë jam burrë dhe mysliman. Nuk duhet të më shikosh.”
Pas sulmit, autori u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua vetëm pak minuta më vonë nga patrullat e Policisë Lokale në Via Torino, disa qindra metra larg stacionit të metrosë.
