Kosova mund të ketë shumë shpejt një Kryeprokuror të Shtetit, pas tre vitesh funksionimi me ushtrues detyre në këtë pozicion të rëndësishëm.
Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, Këshilli Prokurorial i Kosovës, publikoi pikët e kandidatëve dhe dha rekomandimin përfundimtar, duke zgjedhur kështu Zejnullah Gashin, i cili është aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Nga numërimi i votave rezulton se kandidati që ka marrë shumicën e thjeshtë të votave, prej 5 votash gjithsej, është Zejnullah Gashi, ndërsa Rafet Halimi një votë dhe kandidatët e tjerë nuk kanë marrë vota. Konstatoj se Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas votimit të fshehtë, me pesë vota për, nominon Zejnullah Gashin për Kryeprokuror të Shtetit. I njëjti i propozohet Presidentes së Kosovës për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, është shprehur Arian Gashi, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pas këtij vendimi të KPK-së, organizatat e shoqërisë civile, kanë vlerësuar se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese apo ligjore, që Presidentja e komanduar në detyrë, Albulena Haxhiu të dekretojë Zejnullah Gashin në këtë post.
