Ka folur Svetlana Maksinoviç, bashkëshortja e pasagjerit serb i cili përjetoi momente tmerri gjatë fluturimit të Ryanair nga Selaniku drejt Memmingenit, në Gjermani, kur një defekt teknik çoi në thyerjen e xhamit të avionit dhe ai mbeti për disa çaste me gjysmën e trupit jashtë kabinës.
Ajo rrëfen se në ato sekonda kishte menduar: “Nëse do të vdesim, do të vdesim bashkë”. Duke treguar se bashkëshorti i saj mbeti jashtë deri në kraharor për plot dy minuta, fatmirsisht me ndihmën e pasagjerëve të tjerë ajo arriti ta tërhiqte sërish brenda, teksa gjatë asaj kohe sipas saj ai humbi ndjenjat tri herë.
"Isha ulur në pjesën e pasme të avionit. Maskat e oksigjenit ranë menjëherë dhe shpërtheu paniku. Burri im humbi ndjenjat tre herë. Pasagjerët vendosën edhe një valixhe për të bllokuar dritaren e thyer, por forca e thithjes e tërhoqi edhe atë", u shpreh ajo.
61-vjeçari, i cili vazhdon të jetë i shtruar në spital në Greqi, mbetet “i plagosur rëndë dhe në gjendje shoku”, sipas bashkëshortes së tij. Ndërsa më tej ajo ka treguar se njëri prej personave që ka ndihmuar ishte shqiptar dhe do të donte ta takonte sërish për ta falenderuar.
“Disa njerëz erdhën në ndihmën time. Më kujtohet një burrë dhe një grua. Ai burrë na ndihmoi shumë mua dhe Ljubisën. Mendoj se ishte shqiptar. Faleminderit shumë. Nuk ia mbaj mend emrin, madje nuk e di nëse ma tha ndonjëherë. Do të doja ta takoja përsëri për ta falënderuar personalisht edhe një herë.”, tha ajo.
Sipas këshilltarit teknik të caktuar nga familja, incidenti dyshohet se nisi pas një defekti në motorin e avionit. Një pjesë e motorit u shkëput gjatë fluturimit dhe fragmentet goditën dritaren e kabinës, duke e thyer atë. Diferenca e menjëhershme e presionit krijoi një forcë të madhe thithëse, e cila e nxori pjesërisht pasagjerin jashtë avionit.
