Hapësire reklamuese

Politikë

SPAK në “provim” para deputetëve, Ivi Kaso i përmend “Arubën” dhe “Ballukun”, Braho: Nuk udhëhiqemi nga zhurma politike, por nga provat! Askush mbi ligjin

Shkruar nga Newsbomb
SPAK në “provim” para deputetëve, Ivi Kaso i përmend
Kaso dhe Braho

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho raportoi përpara Komisionit për Nismat Qytetare mbi punën dhe rezultatet e institucionit që drejton gjatë vitit të kaluar.

Pas prezantimit të raportit, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetëve demokratë dhe socialistë. Ka qenë Ivi Kaso nga kahu i të djathtëve ai i cili ngriti çështjen e hetimit të krimit zgjedhor, duke kërkuar sqarime mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të ndryshme dhe duke ngritur pretendimin për standard të dyfishtë në ndjekjen penale.

Kaso pyeti gjithashtu për çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ndikimin që pati vendimi i Kuvendit për mosdhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit në vijimin e hetimeve.

Një tjetër çështje e ngritur nga deputeti demokrat ishte ajo e njohur publikisht si “dosja Aruba”, ku ai kërkoi informacion mbi rrjedhjen e të dhënave hetimore dhe nëse SPAK do të bëjë publike emrat e personave që mund të jenë përfshirë.

"E treta ka të bëjë me atë që është quajtur publikisht, me informacione që kanë rrjedhur nga ju, si dosja "Aruba". Presupozohet që ka takime me funksionarë të shtetit shqiptar dhe me persona të karteleve ndërkombëtare të drogës, veçanërisht për investime në fushën e ndërtimit, të cilat, sipas përgjimeve dhe atyre që i kanë bërë, ndajnë Shqipërinë me copa dhe vendosin të pastrojnë paratë e drogës. Publiku ka pritshmëri të dijë se kush janë politikanët shqiptarë që kanë qenë në Aruba dhe po ndanin Shqipërinë. Në çdo tavolinë, në çdo studio televizive, flitet për dosjen "Aruba". Ju shqetëson juve ky fakt që ka rrjedhur dosja? Dhe, në momentin që ka rrjedhur, e plotë apo e pjesshme, a mendoni se keni detyrim të thoni se kush ka qenë politikani që ka qenë në takim, me apo pa mandatin e kryeministrit në xhep", tha Kaso ndër të tjera.

Ndërkohë që në përgjigjen e tij, Braho theksoi se Struktura e Posaçme nuk funksionon mbi bazën e perceptimeve apo deklaratave politike, por vetëm mbi prova dhe fakte të administruara gjatë hetimeve. Ai po ashtu nënvizoi se në institucionin që udhëheq prej dhjetorit të 2025 nuk ka dosje që mbahen të pezulluara nëse ekzistojnë prova që kërkojnë veprime të mëtejshme.

“Ne nuk emërtojmë dosjet me etiketime. Nuk dua përsëri të ndalem në çështje konkrete. Është çështje në hetim. Nuk mund të ndodhë në SPAK që të ketë një provë në dosje dhe një provë të lihet në gjumë. Tjetër gjë thuhet e flitet, këto janë vlerësime e opinione. Kur përfundojnë hetimet ne bëjmë transparencë. Ne deklaratat politike nuk I komentojmë.”, tha Braho duke theksuar se SPAK ka dëshmuar edhe më herët se çdo vendimmarrje merret në përputhje me ligjin dhe pa u ndikuar nga deklaratat politike.

Ivi Kaso: Çështja e parë me krimin zgjedhor. Për shkak se krimi konsumohet nga persona të veshur me pushtet, besoj që performanca juaj lidhur me krimin zgjedhor është impulsi që dikton tempin. Kemi vënë re, si opozitë, një farë trajtimi të dyfishtë që keni përdorur për sa i përket krimit zgjedhor, në raport me atë që ka qenë një standard i lartë nga ana juaj në raport me politikanët e opozitës në fushata zgjedhore. Ju keni marrë masa sigurimi personal ndaj liderëve të opozitës, ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës. Të drejta apo të padrejta, këto i vlerëson gjykata. Ky është standardi juaj. Ndërkohë, në proces zgjedhor, ata që keni evidentuar si persona problematikë, si goditja e bandës së Durrësit, janë toleruar nga ana juaj, s'e dimë pse, dhe janë lejuar që ta kryejnë krimin zgjedhor. Ose zëvendëskryeministra që u vunë nën akuzë për blerje votash. Ky standard i dyfishtë i përdorur nga ana juaj, mendoni se e demotivon apo e motivon krimin zgjedhor?

Ne patëm një diskutim të gjatë në komisionin përkatës dhe kemi dhënë shifrat që disponojmë. Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe ne na shqetëson. Nuk pajtohemi me të. Nuk është krijuar brenda një viti apo dy. Ajo që duhet të kuptojmë është se, nëse vendoseni edhe ju në rolin e prokurorit, çështjet përfundojnë në akuza kur gjenden prova. Unë nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë dhe nuk shoh raste konkrete. Ky është një perceptim. Ne nuk nisemi nga perceptimet. Nëse dosjet kanë provat e nevojshme, mbajnë përgjegjësi.

E dyta ju vë në pozitë të vështirë, sepse po vij para institucionit që më mbështet me rezolutë, por kur vjen puna më përplas në fytyrë çfarë bëhet e çfarë jo. Ka të bëjë me rastin e fundit, kur keni ardhur në cilësinë e prokurorit për të kërkuar ndjekje penale efektive, siç ka të bëjë me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Fakti që ju erdhët edhe vetë tregon se institucioni ka pasur indicie të mjaftueshme, por edhe që ndjekja penale do të dëmtohej nga mosdhënia e autorizimit për imunitetin. Ju ishit të bindur që ndikohej hetimi juaj. Kuvendi ia mohoi institucionit tuaj kërkesën, duke u fshehur pas gishtit, duke thënë se për këtë akuzë nuk e heqim dhe për të tjerat e heqim. Kjo sjellje e Kuvendit e ka dëmtuar ndjekjen penale? Unë di nga deklaratat tuaja se hetimet kanë vazhduar dhe pozita e saj procedurale është rënduar. Ju nuk keni një kërkesë tjetër për heqje imuniteti. Si duhet ta kuptojmë këtë sjellje? Është kjo sjellje refraktare e Kuvendit? Apo ka arsye të tjera procedurale? Për të ditur edhe ne, si Kuvend, nëse duhet ta modifikojmë sjelljen tonë, apo keni mekanizma të tjerë ligjorë.

Ka qenë e qartë për kërkesën. Unë nuk vlerësoj dot qëndrimin e Parlamentit. Mbase, në momente të mëvonshme, do të kemi vendimmarrjen përkatëse. Prokuroria është e qartë edhe në reagimin pas vendimmarrjes së Kuvendit.

E treta ka të bëjë me atë që është quajtur publikisht, me informacione që kanë rrjedhur nga ju, si dosja "Aruba". Presupozohet që ka takime me funksionarë të shtetit shqiptar dhe me persona të karteleve ndërkombëtare të drogës, veçanërisht për investime në fushën e ndërtimit, të cilat, sipas përgjimeve dhe atyre që i kanë bërë, ndajnë Shqipërinë me copa dhe vendosin të pastrojnë paratë e drogës. Publiku ka pritshmëri të dijë se kush janë politikanët shqiptarë që kanë qenë në Aruba dhe po ndanin Shqipërinë. Në çdo tavolinë, në çdo studio televizive, flitet për dosjen "Aruba". Ju shqetëson juve ky fakt që ka rrjedhur dosja? Dhe, në momentin që ka rrjedhur, e plotë apo e pjesshme, a mendoni se keni detyrim të thoni se kush ka qenë politikani që ka qenë në takim, me apo pa mandatin e kryeministrit në xhep?

Klodian Braho: Ne nuk i emërtojmë dosjet me etiketime. Nuk dua përsëri të ndalem në çështje konkrete. Është çështje në hetim. Nuk mund të ndodhë në SPAK që të ketë një provë në dosje dhe një provë të lihet në gjumë. Tjetër gjë thuhet e flitet; këto janë vlerësime e opinione. Kur përfundojnë hetimet, ne bëjmë transparencë. Ne deklaratat politike nuk i komentojmë. E kemi treguar me çështjet e mëparshme që gjithçka e bëjmë brenda ligjit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese