Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja i është përgjigjur publikisht në rrjetet sociale pretendimeve te një tik-tokeri bërë viral ditët e fundit në vend për përshtypjet negative ndaj koncertit të Kanye West në Tiranë. Tiktokeri pretendoi për një event skandal dhe mungesë organizimi. Aktivistja Flora Xhemani, publikoi pretendimet e tiktokerit, duke kërkuar llogari nga Blendi Gonxhe dhe Edi Rama për imazhin negative të eventit.
“Edi Rama dhe Blendi Gonxhja kjo e turpëron Shqipërinë dhe e bën zhele fare, e jo Protesta dhe kërkesa legjitime e llogarisë se pse u morën lekët nga rezervat e shtetit”, shkruan Xhemani.
Ministri Blendi Gonxhe ka hyrë në faqen e Florës në facebook dhe shkruan se gjithçka u organizua në pak javë. Dhe bën krahasimin me evente të tjera në Romë, New York që kanë dekada në organizimin e aktiviteteve të tilla. “Nuk u lodhët me kete energji negative? Eventi ishte magjik, askund më parë në asnjë shtet nuk ka patur një stadium si I yni, ngritur në pak javë, e një superorganizim”, shkruan Gonxhe.
Blendi Gonxhja, ministër i Kulturës
Po su lodhet me kete energji negative? Eventi ishte magjik, askund me pare ne asnje shtet nuk ka patur nje stadium si i yni ngritur ne pak jave e nje super organizim - shiko cfare ndodhi ne Rome, ne NY, kryeqytete me dekada eksperience e ne Eagle Stadium shoë filloi ne 21:15 as cerek ore nga ora e caktuar, pa asnje incident a te plagosur serioz, pa asnje sherr e full house ne start, pra askush nuk hyri me vone sesa fillimi i koncertit! Kudo ne bote evente te ketyre permasave kane probleme para apo pas apo gjate, e Tirana shkelqeu, linjat e autobuzave per ne koncert perfekt, dalja krejt normal, ndersa radhet ne hyrje dhe prej vapes stresuan per 1-2 ore nje pjese te fansave por siguria ishte kryesore dhe produksioni amerikan preferoi te merrte masa brenda te cilat shtyne hyrjen (hapjen e dyerve) me 1 ore afersisht. Pertej ngjeshjes qe ne vetvete krijon dhe nje pritshmeri akoma me speciale per te qene pjese e dickaje aq te desheruar nga aq njerez (mbi 60000 njerez ne 65000 m2 vend - perimetri i tere asaj strukture te eventit). Ndaj lerini tani amplifikimet negative dhe shijoni kujtimin e paharrueshem te koncertit, cka eshte bere virale kudo ne bote me fjalet me te mira kudo nga shumica derrmuese.
Flora Xhemani
Faleminderit shumë Z. Ministër, që mes punëve të shumta në kulmin e sezonit, keni gjetur kohë të më përgjigjeni (jo shkurt). Të investosh energji përkundrejt energjisë tonë negative, do të thotë që përmbajtja nuk është pa peshë.
Koncerti vërtet do të mbetet i paharruar, për një fakt të thjeshtë; që u sponsorizua nga qeveria. Po ta kishit lënë në fatin e tij si event privat, askush nuk do ishte marrë me të.
Kam 22 vjet që merrem me turizmin dhe nuk kam parë kurrë asnjë ministër apo kryeministër të ndonjë vendi sado të vogël e në zhvillim, të bëjë fushatë kaq agresive promovuese për një koncert privat.
Nuk po e zgjas shumë, edhe pse kam plot për të thënë, se me siguri nuk keni shumë kohë të lirë për të lexuar përgjigje të gjata.
A, edhe një këshillë miqësore për në fund: si ministër i kulturës që jeni, trajtojeni me pak më shumë respekt gjuhën shqipe, duke e shkruar siç duhet.
