Një ditë e rëndësishme ajo e së nesërmes për Partinë Demokratike, ku pritet të finalizohet edhe procesi i ashtuquajtur i “ripërtëritjes” së strukturave drejtuese.
Ashtu siç e ka konsideruar edhe vetë kreu i kësaj force politike, Sali Berisha një frymë e re pritet të marrë drejtimin e selisë blu, ndërsa demokratët dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar, mes tyre edhe Myslim Murrizi, i kanë kërkuar publikisht ish-kryeministrit të bëjë të ditur emrat e kandidatëve që do të marrin detyrat e reja në parti.
Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë emër zyrtar nga vetë Berisha. Pavarësisht kësaj në korridoret e Partisë Demokratike dhe në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë emra të ndryshëm që përfliten si pjesë e ekipit të ri drejtues. Burime jozyrtare bëjnë me dije se Flamur Noka, ndryshe nga disa prej kolegëve të tij që kanë vendosur të tërhiqen, do të kërkojë një mandat të dytë në postin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.
Për tre postet e nënkryetarëve pritet të ketë garë mes disa emrave të njohur, ndërsa Gazment Bardhi do të jetë pjesë e drejtimit “ex officio”. Agron Gjekmarkaj dhe Oerd Bylykbashi kanë njoftuar se nuk do të rikandidojnë, ndërsa Luçiano Boçi pritet të kërkojë një mandat të dytë. Në listën e emrave që përfliten për postin e nënkryetarit janë edhe Belind Këlliçi, Bardh Spahia dhe Klevis Balliu.
Statuti i Partisë Demokratike parashikon që dy vendet e mbetura vakante nga tërheqja e Gjekmarkajt dhe Bylykbashit të plotësohen me gra. Për këtë arsye, një nga emrat që përflitet më shumë për t'u ngjitur në postin e nënkryetares është Albana Vokshi.
Ndryshime priten edhe në Forumin Rinor të Partisë Demokratike ku Besart Xhaferraj i cili prej vitesh drejton FRPD-në nuk do të kandidojë sërish.
Nga gara është tërhequr edhe Ivi Kaso, i cili për 12 vite ka mbajtur postin e sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore. Po ashtu, Adriana Kalaja ka bërë të ditur se nuk do të rikandidojë për një mandat të ri në Komisionin e Apelimit.
