Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure duke ndarë me ndjekësit pamje nga Brukseli, të realizuara para dhe pas Konferencës Ndërqeveritare ku Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian.
Në videon e publikuar kreu i qeverisë shfaqet krah delegacionit shqiptar, në një moment që shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë të shënuar të Shqipërisë Europiane, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave u konsiderua një arritje domethënëse për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel zyrtarët europianë vlerësuan ritmin e reformave të ndërmarra nga vendi ynë, ndërsa kryeministri Rama e cilësoi zhvillimin si një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt anëtarësimit.
"Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit", tha Rama.
Megjithatë në Bruksel vëmendje mori edhe çështja e projektit të Zvërnecit dhe protestat e zhvilluara kundër tij. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos theksoi se mbrojtja e mjedisit mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, duke kërkuar respektimin e plotë të standardeve europiane.
“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin. Jemi të sigurt që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë e harmonizuar me legjislacionin europian”, tha Kos, ndërkohë që lidhur me kërkesat e Komisionit Europian, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se janë duke punuar për përmbushjen e tyre.
“Na duhet të shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjikë sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet. Kur bëhet fjalë për ligjin tjetër nuk kemi asgjë për të shfuqizuar edhe pse ka patur në rezolutë në PE që e ka kërkuar këtë, por duhet ta trajtojmë ligjin mbështetur në të gjitha standardet europiane. Ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, kemi punuar shumë fort. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike që duhet të jenë në pajtim të plotë me BE, edhe për këtë po punojmë me Komisionin”, tha Rama.
Me mbylljen e tre kapitujve të parë, Shqipëria konfirmon ritmin e shpejtë të negociatave me Bashkimin Europian, duke synuar mbylljen e 10 kapitujve brenda këtij viti dhe përfundimin e të gjithë procesit teknik të negociatave deri në vitin 2027.
