Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili një ditë më parë përsëriti se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Në një postim në platformën “X”, Bajrami tha se Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj dhe se dialogu nuk mund të jetë i besueshëm për sa kohë Beogradi vazhdon të ketë pretendime territoriale.
Ai e cilësoi gjuhën e Vuçiçit si riciklim të retorikës së viteve ’90, që sipas tij pengon pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Bajrami shpërndau edhe reagimin e Demokratëve Evropianë, të cilët kritikuan deklaratat e Vuçiçit duke theksuar se ato dëmtojnë stabilitetin në rajon.
Ai përmendi gjithashtu edhe deklaratat e zyrtarëve të tjerë serbë, përfshirë ministren Snezhana Paunoviq, duke thënë se retorika e tillë e bën të pamundur një proces serioz dialogu.
“Beogradi vazhdon të mohojë realitetin dhe të riciklojë gjuhën e viteve 1990. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë pretendon territorin e palës tjetër. Kosova nuk do të negociojë ekzistencën e saj”, ka shkruar Bajrami.
