Biznesmeni Behgjet Pacolli ka vendosur që të shkarkojë administratorin e shoqërisë koncensionare, Vlora International Airport, Valon Luka.
Vendimi siç shihet dhe në dokument, është marrë dy ditë më parë, në mënyrë të njëanshme, vetëm me votat e shoqërisë “Mabco Construcion SA” e Pacollit dhe se aksioneri tjetër “2A Group”, nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje ku dhe u vendos për shkarkimin e Lukës.
Pozicioni i këtij të fundit do të mbahet nga Mentor Hajdarajt, i cili rezulton të jetë shtetas i Kosovës dhe do të mbajë postin e administratorit të Shoqërisë për një periudhë kohore pesë vjeçare.
Përgjatë ditë të fundit nëpër media qarkulluan lajme se Behgjet Pacolli është përballur me presione për t’i marrë kontrollin e Aeroportit të Vlorës. Këto spekulime u shtuan dhe më tej pas vizitës urgjente që ai kreu në zyrën e kreut të qeverisë, Edi Ramës.
Por, këto lajme sollën dhe një reagim më herët nga vetë Pacolli i cili i hodhi poshtë, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të padrejta.
Përmes një njoftimi zyrtar, ai theksoi se takimi i tij me kryeministrin Rama ishte një vizitë kortezie me qëllim për ta informuar lidhur me ecurinë e punimeve në aeroport dhe se nuk kishte lidhje me ndonjë presion apo kërkesë nga qeveria.
Më tej Pacolli shtoi se aeroporti po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional dhe se kompania e tij, ka nisur një proces riorganizimi të brendshëm.
“Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës Kapitali është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë.
Unë, së bashku me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e Aeroportit të Vlorës, kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës.
Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria, ashtu siç raportojnë disa media.
Në fakt, duke qenë se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal.
Duke marrë shkas nga leximi me i thellë i një shkrimi në media, dua të konfirmoj që puna për përfundimin e aeroportit të Vlorës po ecën përpara me sukses dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare! Ne mezi presim që ta përfundojmë aeroportin në afat për ti dhënë Shqipërisë dhe bregdetit të saj të bukur dhe një destinacion tjetër. Vendimet e aksionerit te VIA nuk janë asgjë tjetër përveçse procedura rutinë që kanë të bëjnë me procese normale qe kane lidhje me garancine ndaj institucioneve financiare për mos transferimin e kuotave sa kohe qe kreditë e marra apo që do merren në lidhje me zhvillimin e aeroportit nuk janë shlyer”, shkruante Pacolli.
Ndërkohë që pas kësaj deklarate të biznesmenit erdhi dhe një reagim nga pala tjetër e aksionerëve në Aeroportin e Vlorës. Valon Ademi, përfaqësuesi i kompanisë “2A”, akuzoi publikisht Pacollin për “mashtrim”.
"Ka njerëz që prej vitesh e quajnë zhvillim atë që në të vërtetë është vetëm mbulesë për mashtrim. Ato shiten si vendime, por në thelb janë një lojë e rrezikshme që nuk i reziston kohës. Ironia e madhe është se ata që kanë blerë gjithmonë besim, kujtojnë se mund ta blejnë dhe sot. Por është vetëm çështje kohe sepse një lojë kaq e rrezikshme nuk mund të vazhdojë gjatë", shkruan Valon Ademi në reagimin e tij”, shkruante Ademi në reagimin e tij.
