Kumrie Zika, e dyshuar si autore e disa vjedhjeve, e cila sipas policisë është kthyer në një shqetësim për bizneset në Tiranë, ka kryer këtë të mërkurë një tjetër vjedhje, duke marrë edhe një shumë të konsiderueshme parash.
Këtë herë, pre e skemës së Zikës ka rënë një pikë këmbimi valutor dhe transferta parash në zonën e “Varrit të Bamit”, ku ajo ishte punësuar dhe kishte ditën e parë të punës.
Duke qenë se biznesi ishte në kërkim të një punonjëseje, drejtuesit e tij e kishin rekrutuar gruan në fjalë. Zika gjatë gjithë kohës ka qenë e shoqëruar nga një punonjës tjetër, por në një moment të shkurtër, kur ai është shkëputur për disa sekonda, ajo ka kryer vjedhjen.
Ajo ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka e biznesit dhe më pas është larguar në rrugicat e lagjes. Sipas të dhënave paraprake, kjo është vjedhja e katërt që i atribuohet Zikës në një periudhë të shkurtër kohore.
Megjithatë, arratia e saj ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi biznesi i dëmtuar ka njoftuar policinë. Efektivët kanë arritur ta identifikojnë menjëherë Zikën dhe më pas e kanë arrestuar në zonën e “21 Dhjetorit”.
Kumrie Zika pritet të dalë para gjykatës për akuzën e vjedhjes.
Po ashtu, bëhet me dije se Kumrie Zika rezulton të jetë një personazh i njohur publik, pasi është shfaqur më herët në televizione të ndryshme si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës.
