Hapësire reklamuese

Aktualitet

Nga orët shtesë te rritja e pagesave për turnet e natës dhe festat zyrtare, publikohet VKM-ja për përmirësimin e kushteve të punës për shërbimin zjarrfikës

Shkruar nga Newsbomb
Nga orët shtesë te rritja e pagesave për turnet e natës dhe
Foto ilustruese

Është publikuar në fletoren zyrtare VKM-ja për rritjen e pagave për zjarrëfikësit dhe përmirësimi i kushteve të punës dhe pagesat për orët shtesë apo gjatë ditëve të pushimit.

Sipas VKM-së së publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, do të ketë rritje të përfitimeve financiare për zjarrfikësit që punojnë gjatë natës, në ditët e pushimit javor dhe në festat zyrtare, si edhe rregulla të reja për kompensimin e orëve shtesë të punës.

Sipas ndryshimeve, punonjësit me gradë të MZSH-së do të përfitojnë shtesë mbi pagë në masën 20% për çdo orë pune të kryer nga ora 19:00 deri në 22:00,  50% për orët e punës nga ora 22:00 deri në 06:00, si dhe 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e pushimit javor dhe festave zyrtare.

Po ashtu, për orët shtesë të punës, zjarrfikësit do të kompensohen me pushim të barabartë me orët e kryera, plus 25% të tyre kur puna kryhet në ditë të zakonshme. Ndërsa plus 50% kur puna kryhet në ditë pushimi apo gjatë festave zyrtare ose gjatë intervalit 22:00–06:00. Në rast se pushimi nuk mund të jepet brenda afatit të përcaktuar, kompensimi do të bëhet me pagesë.

Vendimi parashikon gjithashtu që, kur një festë zyrtare përkon me ditën e pushimit javor, punonjësit do të përfitojnë një ditë pushimi shtesë ose pagesë për tetë orë pune.

Po ashtu një tjetër ndryshim i rëndësishëm është vendosja e kufirit maksimal prej 200 orësh shtesë pune në vit për punonjësit operacionalë të MZSH-së. Gjithashtu ky vendim i Këshillit të Ministrave, merr përsipër që efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre ndryshimeve, të përballohen nga buxheti i shtetit.

Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi", thekohet në njoftim.

Njoftimi:

Zyrtarisht i botuar në fletore zyrtare!

                               V E N D I M

                                   PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.203, DATË 10.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË MASËS SË PËRFITIMIT DHE LLOJEVE TË PUSHIMEVE TË TJERA, ME APO PA PAGESË, NË SHËRBIMIN E MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 30, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

                                V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.203, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të masës së përfitimit dhe llojeve të pushimeve të tjera, me apo pa pagesë, në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 4, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së, që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale të punës, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:

a) 20% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00;

b) 50% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00;

c) 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe në ditët e pushimit javor.”.

b) Pas pikës 4, të kreut I, shtohen pikat 4/1, 4/2 dhe 4/3, me këtë përmbajtje:

“4/1. Për orët shtesë të punës, punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së kompensohet me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25% të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune apo me orët shtesë plus 50% të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00 – 6:00.

4/2. Punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së, kur festat zyrtare bien në ditë pushimi, trajtohet me një ditë pushimi shtesë ose pagesë për 8 (tetë) orë, të përllogaritur mbi pagën orare të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu.

4/3. Shtesa mbi pagë, sipas pikës 4, të këtij kreu, paguhet bashkë me pagën mujore, brenda një muaji nga dita kur është kryer shërbimi. Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës, sipas pikave 4/1 e 4/2, të këtij kreu, bëhet brenda 2 (dy) muajve nga dita kur janë kryer ato. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës me pushim, punonjësi kompensohet me shtesë page, sipas masës së përcaktuar në pikat 4/1 e 4/2, të këtij kreu.”.

c) Pas pikës 6, të kreut I, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:

“6/1. Numri maksimal i orëve shtesë për punonjësin operacional të shërbimit të MZSH-së nuk mund të jetë më shumë se 200 (dyqind) orë në vit. Me autorizimin e inspektoratit përgjegjës për inspektimin e punës, numri maksimal i orëve shtesë mund të tejkalohet vetëm në rastet e forcës madhore ose të menaxhimit të emergjencave civile në dobi të popullsisë.”.

ç) Pika 8, e kreut I, shfuqizohet.

d) Në pikën 1, të kreut II, emërtimet “komisar zjarrfikës”, “kryeinspektor zjarrfikës” dhe “inspektor zjarrfikës” zëvendësohen, përkatësisht, me “kryekomisar zjarrfikës”, “komisar zjarrfikës” dhe “nënkomisar zjarrfikës”.

2. Efektet financiare shtesë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar sektoriale për bashkitë.

3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese