Tre të rinj janë arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pasi akuzohen se janë autorë të dyshuar të një grabitje me dhunë në fshatin Borsh, ku kanë mbajtur peng një të moshuar me armë imituese dhe i kanë matrrë paratë.
Nga hetimet, ka rezultuar se autorët kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të kryer krimin. Madje, njëri prej të arrestuarve ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi", për krime në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një 70-vjeçari, se më datë 12.07.2026, në fshatin Borsh, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin policor të koduar "Shuma".
Tre të rinjtë e moshave nga 19 deri në 25 vjeç, kishin hyrë në shtëpinë e zotërisë së moshuar, e kishin mbajtur me dhunë dhe e kishin kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim vjedhjen e një shume parash.
Në kuadër të operacionit u identifikuan, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:
E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë;
K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë;
A. C., 19 vjeç, banues në Vlorë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.
Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
