“Më vjen mirë që SPAK është i papëlqyeshëm nga të dy kahet!”, kështu deklaroi këtë të mërkurë kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Nismat Qytetare.
Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri, riktheu në vëmendje deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK, duke ngritur shqetësimin nëse gjuha e përdorur ndaj prokurorëve mund të interpretohet si presion politik apo të ndikojë në punën e institucionit.
Në përgjigje të tij Braho theksoi se deklaratat që vijnë nga politika i konsideron pjesë të retorikës politike dhe se nuk kishte pasur për qëllim të veçonte asnjë figurë të caktuar. Sipas tij, fakti që SPAK kritikohet njësoj si nga e majta ashtu edhe nga e djathta është një tregues se institucioni po ushtron detyrën e tij pa bërë dallime politike dhe se kjo dëshmon se është në rrugën e duhur.
“Ajo që shpjegova më parë ishte për deklaratat politike dhe nuk identifikova as kryeministra, as ministra, as persona të tjerë të përfshirë në politikë dhe i qëndroj asaj që thashë, që deklaratat politike janë retorikë politike. Dhe më vjen mirë që SPAK është i papëlqyeshëm nga të dy kahet politike, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur. Ju falënderoj për këtë pjesë", tha Braho, ndërkohë që më tej theksoi se para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe se askush nuk gëzon imunitet nga hetimi nëse ekzistojnë prova.
Erald Kapri: U dëgjova pak më parë në lidhje me deklaratat e kryeministrit, nëse mund të konsiderohen retorikë, kërcënim apo intimidim. Ne e kuptojmë presionin e madh politik, mediatik dhe të botës së nëndheshme që ka institucioni juaj. Por çështja është që pak kohë më parë ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, kërkoi mbrojtje shtesë dhe ju sapo deklaruat në Komision se deklaratat e Kryeministrit i shikoni edhe me një shqetësim, sepse bota e krimit mund të marrë guxim dhe të sulmojë prokurorët. Por çështja është, zoti Braho, se kryeministri ka thënë direkt ndaj jush që "keni dalë nga shinat", "çorbë qenjsh", "minjsh", madje edhe "republikë prokurorësh". Madje, madje edhe kryeministri pranon që është pjesë e dosjeve. Dhe nuk kemi parë një veprim ndaj kryeministrit dhe çfarë garanci jepni ju që kryeministri nuk do të ndikojë mbi ligjin. Sepse betejën me të tjerët e keni fituar, ndërsa te kryeministri ka një stepje.
Klodian Braho: Ajo që shpjegova më parë ishte për deklaratat politike dhe nuk identifikova as kryeministra, as ministra, as persona të tjerë të përfshirë në politikë dhe i qëndroj asaj që thashë, që deklaratat politike janë retorikë politike. Dhe më vjen mirë që SPAK është i papëlqyeshëm nga të dy kahet politike, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur. Ju falënderoj për këtë pjesë. Thirrja e një personi apo jo, kushdo qoftë, nuk janë vendime që merren në bazë të përshtatshmërive, por nga hetimet dhe është prokurori, për shkak të nevojave të hetimit, dhe është prokurori i çështjes që merr vendimin kë do pyesë dhe kë jo, dhe kur. Para SPAK janë të gjithë të barabartë, sfida është prova. Sado të jetë hetimi sekret, do vijë një moment që hetimi s'do të jetë sekret, do të shkojë në Gjykatë dhe do të jetë transparent, por askush nuk është imun ndaj hetimit, në rast se ka prova.

