Hapësire reklamuese

Politikë

Shqipëria mirëpret Samitin e NATO-s në 2027-ën, Albana Koçiu: Jemi gati të pozicionohemi si partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes

Shkruar nga Newsbomb
Shqipëria mirëpret Samitin e NATO-s në 2027-ën, Albana
Albana Koçiu

Zëvendës kryeministrja Albana Koçiu, ka folur për samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili di të mbahet në vendin tonë në vitin 2027, duke e konsideruar këtë një arritje e cila reflekton besimin e aleatëve.

Sipas Koçiut ky angazhim është duke u mbështetur me investime konkrete duke përmendur këtu disa nga investimet më të rëndësishme që janë bërë së fundi, e që paraprijnë këtë samit të rëndësishëm.

“Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes. Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane janë avantazhe reale që po kthehen në kapacitete konkrete, duke projektuar, prodhuar dhe eksportuar produkte për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet ndërkombëtare”, është shprehur ajo ndër të tjera.

Fjala e plotë e Albana Koçiut:

Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s në 2027, një arritje që reflekton besimin e aleatëve dhe rolin gjithnjë e në rritje të vendit në sigurinë euroatlantike. Ky angazhim po mbështetet me investime konkrete, rritje të kapaciteteve dhe zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes.

Në kantierin e ndërtimit të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, po merr formë një projekt që shkon përtej investimit në prodhimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake. Investimi prej 13.2 milionë eurosh, pjesë e marrëveshjes fillestare me MSSC Group, hap një drejtim të ri strategjik për Shqipërinë.

Në një kohë kur vendet e NATO-s po rrisin investimet në mbrojtje, me objektivin për të arritur deri në 5% të PBB-së, Qeveria Shqiptare ka rritur mbështetjen për sektorin e mbrojtjes. Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, kemi miratuar 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e rritur financimin në 2.6% të PBB-së në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.

Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes. Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane janë avantazhe reale që po kthehen në kapacitete konkrete, duke projektuar, prodhuar dhe eksportuar produkte për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet ndërkombëtare.

Me 1200 vende të reja pune dhe 3 kontrata të nënshkruara për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për periudhën 2026–2028, Guna Tactical po jep rezultatet e para konkrete.

Kjo nuk është një histori suksesi e izoluar. Së bashku me TIMAK Defence, dhe me “Myslym Keta Defence” po krijohet një zinxhir i integruar i industrisë së mbrojtjes shqiptare, i mbështetur nga partneritete strategjike që sjellin investime, teknologji dhe punësim të kualifikuar.

Një tjeter arritje konkrete është partneriteti me Fincantieri. Përmes KAYO-s, Shqipëria po hyn në një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e mjeteve lundruese, me synim edhe eksportin. Aktiviteti në Pashaliman do të rrisë kapacitetet e Forcës Detare, dhe do ta pozicionojë vendin si një pikë referimi për mirëmbajtjen dhe prodhimin e anijeve për partnerët e NATO-s.

Ky është vizioni ynë për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, ekonominë dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese