Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gjykata e Apelit i shuan shpresat Mario Përlleshajt, adoleshenti që vrau me thikë në zemër Martin Canin do të vuajë 16 vite burg

Shkruar nga Newsbomb
Gjykata e Apelit i shuan shpresat Mario Përlleshajt, adoleshenti që
Ilustrim fotografik: Martin Cani dhe Mario Përlleshaj

Gjykata e Apelit ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke e dënuar me 16 vite burg Mario Përlleshajn, adoleshentin i cili vrau me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani.

Këtë të mërkurë, togat e zeza morën vendimin që të mos marrin parasysh ankimimin e mbrojtjes së Përlleshajt, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit të dhënë më herët nga Gjykata e Tiranës.

Burime nga sistemi gjyqësor bënë me dije se avokati mbrojtës i tij ka argumentuar se ndaj klientit të tij nuk mund të rëndojë akuza për vrasje me rrethana cilësuese, siç është vlerësuar nga gjykata e shkallës së parë.

Në Apel, mbrojtja pretendoi se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën efektin e një tronditjeje të fortë psikike. Sipas saj, këto argumente janë paraqitur edhe gjatë gjykimit në shkallë të parë, por nuk janë marrë parasysh nga trupi gjykues.

Përlleshaj u shpall fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur.

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, Përlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe me 10 vite për tentativë vrasjeje ndaj një të mituri tjetër. Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi një dënim përfundimtar prej 16 vitesh burg, vendim i cili është lënë në fuqi edhe nga Apeli ditën e sotme.

Aktualisht, Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë, ku u transferua menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur me 18 Nëntor 2024 në kryeqytet.

Nga sherr me thika mes 14-vjeçarëve humbi jetën Martin Cani, u plagos shoku i tij Luis Meçja dhe vetë autori i kësaj ngjarje. Në këtë ngjarje dyshohen se u përfshinë 4 adoleshentë, dy nxënës të shkollës “Fan Noli” dhe dy të një shkolle në Sauk.

Ngjarja ndodhi rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli”. Katër të rinjtë u konfliktuan me njëri-tjetrin, konflikt i cili më pas agravoi deri në përdorimin e thikës. Gjithçka ka ndodhur në 90 sekonda, sekonda që shënuan dhe tragjedinë me vdekjen e një të mituri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese