Hapësire reklamuese

Aktualitet

Mori “gjakun” e të atit, përfiton nga amnistia i riu Florian Përvathi, në 2022 vrau në oborrin e banesës vëllain e vrasësit të babait

Shkruar nga Newsbomb
Mori “gjakun” e të atit, përfiton nga amnistia i riu
Florian Pervathi dhe Lek Lekgjonaj

Florian Përvathi i riu nga Lezha i dënuar për vrasjen e Lek Lekgjonajt, pritet të përfitojë nga amnistia penale, pas vendimit që i hapi rrugë lehtësimit të dënimeve për një kategori të dënuarish.

Përvathi ishte dënuar me 8 vite burg në vitin 2022 për një ngjarje që tronditi opinionin publik, pasi motivi i krimit lidhej me një histori të vjetër gjakmarrjeje mes dy familjeve.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 janar 2022, në fshatin Manati të Lezhës. Në mesditë, Lek Lekgjonaj 65 vjeç u qëllua me armë zjarri në oborrin e banesës së të afërmve të tij. Sipas hetimeve, pas kësaj vrasjeje qëndronte dëshira e të riut për të “marrë gjakun” e babait të tij, Gjon Përvathit i cili ishte vrarë vite më parë.

Historia që çoi në këtë ngjarje nis në vitin 2009 kur Ndue Lekgjonaj, vëllai i Lek Lekgjonajt, i mori jetën Gjon Përvathit. Në të njëjtën ditë, nëna e Florianit e mbërthyer nga dhimbja dhe tronditja e madhe, i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. I mitur vetëm 4 vjeç në atë kohë, Floriani mbeti pa prindër dhe u rrit nën hijen e një konflikti familjar që do të shënjonte në jetën e tij.

I rritur me barrën e një historie të trashëguar dhimbjeje, ai e kishte shprehur ndër vite dëshirën për të vendosur atë që ai e konsideronte si “drejtësi” për babain e tij. Në janarin e vitit 2022, ai ndërmori aktin që do ta kthente në autorin e një tjetër krimi në zinxhirin e hakmarrjeve mes dy familjeve.

Pas vrasjes Përvathi u dorëzua në polici dhe pranoi autorësinë e ngjarjes, duke shpjeguar edhe motivet që e kishin çuar drejt këtij veprimi. Gjykata e dënoi atë me 8 vite burg, ndërsa për shkak të moshës së tij të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale, çështja u trajtua sipas dispozitave për të miturit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese