Politologu Afrim Krasniqi gjatë një interviste për A2CNN, kritikoi opozitën duke thënë se e sheh realitetin siç e shohin qytetarët duke krijuar një ndarje mes shoqërisë dhe politikës. Ai tha se në fillim pati një përpjekje për ta denigruar protestën madje edhe duke i akuzuar edhe si agjentë të huaj, më pas protestuesit u sulmuan për mënyrës se si flisnin, ndërkohë që njerëzit fikin televizorin nuk flasin deputetët në Parlament tha Krasniqi
“Problemi i madh i një pjese të opozitës është se jeton në dy realitete të ndryshme, pra nuk sheh atë që shohim ne në Shqipëri.
Problemi kryesor nuk ka rëndësi fare kjo gjë. Nuk më intereson as si e sjell PS-ja, as si e sjell PD-ja. Pati një përpjekje për denigrimin e individëve, denigrimin e protestës dhe tani që e kuptuan se shoqëria nuk e pranon këtë lloj klime, dalin e thonë se ditët e para ishte shumë e mirë.
Pse u prish? Sepse këta e prishën, e sulmuan. Nëse ti ke respekt për një protestë dhe duket shumë e mirë, duhet të dëgjosh çfarë thonë dhe të trajtosh problemin e tyre, gjë që nuk ndodhi. Përkundrazi, i akuzuan si agjentë të armiqve të Shqipërisë, agjentë grekë, iranianë, madje edhe me Kosovën, Malin e Zi e Maqedoninë. Ky është paradoksi i parë.
Paradoksi i dytë është se kërkon standarde për mënyrën si flet ndonjëri nga protestuesit në mikrofon, kur ti ke parlamentin për tokë dhe njerëzit mbyllin televizorin kur flasin deputetët. Do të thotë se nuk kërkon standarde për deputetët e tu, por kërkon standarde për qytetarët që shprehin pakënaqësinë në mënyrë emocionale. Aty nuk ka shkuar kush për kurs oratorie. Aty janë njerëz që duan të flasin sepse dyert e shtetit dhe të politikës janë mbyllur për ta.”, tha Afrim Krasniqi.
Ai shtoi se qëllimi i kësaj protestë nuk është lindja e një partie të re, por e një brezi që refuzon establishmentin politik dhe oligarkët që ushqejnë njëri-tjetrin. Mesazhi i tyre është i qartë: Shqipëria duhet ndryshuar. Një tjetër element që e dobëson protestën sipas Krasniqit është mungesa e grupeve te pavarura të interesit siç janë shoqatat e biznesit, sindikatat dhe grupet e tjera shihen gjithmonë si proqeveritare, duke lënë qytetarët pa zë institucional.
“E treta, unë nuk mendoj se aty po lind ndonjë parti politike. Aty po lind një gjeneratë që refuzon këtë lloj establishmenti politik, ku oligarkë dhe politikanë të emëruar mbajnë njëri-tjetrin dhe ushqejnë njëri-tjetrin në të gjitha palët politike. Mesazhi kryesor që ata po përcjellin është se nuk mund të vazhdohet më me këtë lloj situate. Duhet ndryshuar Shqipëria.
Elementi i fundit, po aq i rëndësishëm, është se aty ka gjëra për t’u korrigjuar, sidomos në kursin e menaxhimit publik. Ata nuk janë ekspertë të marrëdhënieve publike, por është një fatkeqësi e madhe e Shqipërisë që shoqatat e biznesit janë gjithmonë proqeverive, sindikatat janë gjithmonë proqeverive, grupet e interesit janë gjithmonë pranë çdo pushteti dhe proqeverive.” tha Krasniqi.
