Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hartuar një projektvendim i cili vë theksin në rritjen e përfshirjes së komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Strategjia Kombëtare për Diasporën 2026-2030 synon thellimin e politikave shtetërore në proceset zhvillimore dhe integruese të Shqipërisë.
Sipas një relacioni zyrtar, strategjia e re synon të konsiderojë diasporën si një partnere të brendshme strategjike dhe bashkëkrijuese e shtetit shqiptar, me një rol të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe demokratik të vendit.
Që ky vizion të realizohet, qeveria ka identifikuar katër shtylla kryesore që janë:
1.Modernizimi institucional, konsolidimi i kuadrit ligjor për një qasje të unifikuar në adresimin e potencialit të diasporës
2.Pjesëmarrja politike dhe sociale, krijimi i kushteve për përfshirjen e diasporës në jetën institucionale të vendit dhe aktivizimi i saj në mbështetje të integrimit evropian
3.Thithja e potencialit financiar, njerëzor dhe intelektual për ta shndërruar atë në një shtyllë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik
4.Forcimi i lidhjeve kulturore dhe gjuhësore për të garantuar transmetimin ndërbrezor të vlerave shqiptare
Sa i takon kostove, Plani i veprimit për tre vitet e para (2026-2028) parashikohet të jetë rreth 1.85 miliardë lekë, ndërsa zbatimi i projektit do të drejtohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
