Gentian Sejrani, avokati që e kemi parë shpesh në mbrojtje të qytetarëve të arrestuar gjatë protestave qytetare dhe në mbrojtje të komuniteteve me vunerabël, tregon se ka përfaqësuar në gjyq edhe Luis Meçen. Adoleshenti që u plagos 2 vite më parë nga Mario Përlleshaj, kurse shoku i tij Martin Cani ndërroi jetë.
Zoti Sejrani ka publikuar një fotografi nga oborri i Gjykatës së Apelit Tiranë, me babain e Luisit, në përfundim të seancës gjyqësore që la në fuqi dënimin me 16 vite burg të Marios, i cili pas një konflikti me Martinin dhe Luisin, i qëlloi me thikë.
"Me Fiqiriun, babain e Luis Meçjës, i cili u plagos gjatë ngjarjes së rëndë të ndodhur në shkollën "Fan Noli". Kjo ishte një çështje që preku mbarë shoqërinë dhe edhe mua si avokat.
Gjatë gjithë kohës që përfaqësova “pro bono” Luisin, jam përballur me një dilemë të vështirë mes ndjenjës së prindit dhe ndjenjës së drejtësisë. Në fund, zgjodha t'i qëndroj parimit të drejtësisë", shkruan avokati.
Gentian Sejrani zbulon se mbrojtja që ai i ka ofruar Luisit gjatë dy viteve ka qenë pa pagesë, pra "pro bono",një shkurtim i frazës latine pro bono publico që do të thotë "për të mirën publike". Në drejtësi i referohet shërbimeve të ofruara vullnetarisht dhe pa pagesë për të ndihmuar individët, organizatat jofitimprurëse ose komunitetet që nuk kanë mundësi të paguajnë.
"Sot, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, një vendim që, sipas gjykimit tim, është plotësisht i drejtë. Uroj me gjithë zemër që ngjarje të tilla të mos përsëriten më dhe asnjë familje të mos përjetojë dhimbje të tilla", përmbyll avokati Gentian Sejrani.

