Sulmet ruse gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë lënë të paktën tetë të vdekur në Ukrainë.
Në portin e Odesës, në brigjet e Detit të Zi, tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi "masiv" me dronë dhe raketa, njoftoi kreu rajonal, Oleh Kiper. Sipas tij, kjo ishte dita e pestë radhazi që rajoni është vënë në shënjestër të sulmeve ruse.
Në qytetin verilindor të Sumy-t, tre persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën nga bombardimet me bomba ajrore të drejtuara, tha kryetari i përkohshëm i bashkisë, Artem Kobzar. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonet e Dnipropetrovskut, në qendër të vendit, dhe Zaporizhzhias, në jug.
Ndërkohë, ushtria ukrainase bëri të ditur se dronët e saj goditën 20 anije ruse në Detin e Zi gjatë natës, përfshirë 17 cisterna nafte.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sulmin ndaj Odesës, duke deklaruar se objektiv i operacionit ishte infrastruktura portuale, "të përdorur për shkarkimin e naftës, vajit dhe lubrifikantëve".
Në një postim në Telegram, Oleh Kiper akuzoi Rusinë se ka shënjestruar qëllimisht civilët. Ai tha se viktimat dhe të plagosurit u shkaktuan pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë shumëkatëshe banimi.
Sipas tij, nga sulmet u dëmtuan gjithashtu një ndërtesë jorezidenciale dhe një tubacion gazi.
