Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë edhe më të tensionuar, ndërsa dita e katërt e bombardimeve amerikane ndaj objektivave iraniane u shoqërua me vendosjen e një bllokade detare në Ngushticën e Hormuzit dhe me përshkallëzim të presionit ekonomik e ushtarak ndaj Teheranit.
Nga ana tjetër, Irani vijon kundërpërgjigjen me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave amerikane në rajon, duke sinjalizuar se ende ruan kapacitetet për të goditur interesa strategjike të SHBA-së.
Hyn në fuqi bllokada detare në Hormuz
Bllokada detare hyri në fuqi në orën 22:00 të së martës (ora e Shqipërisë), e mbështetur nga një prani e konsiderueshme ushtarake e Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila ka dislokuar rreth 20 anije luftarake dhe qindra avionë në rajon. Objektivi kryesor i kësaj mase është të pengojë Iranin që të ndërhyjë ose të kërcënojë lundrimin e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike për transportin global të naftës.
Valë e re bombardimesh ndaj Iranit
Pak para hyrjes në fuqi të bllokadës, forcat amerikane ndërmorën një tjetër valë sulmesh ndaj objektivave iraniane në zonat pranë Ngushticës së Hormuzit.
Shpërthime të forta u raportuan në Bandar Abbas, Ahvaz dhe në ishullin Qeshm, megjithëse nuk është bërë ende e ditur natyra e saktë e objektivave të goditura. Autoritetet iraniane pretenduan se një prej sulmeve kishte goditur një fabrikë të ujit në shishe. Bombardimet vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Sipas ushtrisë amerikane, gjatë një operacioni që zgjati rreth shtatë orë u goditën dhjetëra objektiva, përfshirë baza që strehonin raketa, sisteme ajrore pa pilot (dronë), kapacitete detare dhe sisteme të mbrojtjes bregdetare.
Sipas Pentagonit, qëllimi i operacionit ishte "dobësimi i mëtejshëm i aftësive të Iranit për të kërcënuar anijet tregtare dhe ekuipazhet e marinës tregtare" në rajon.
Footage, reportedly taken during Iranian drone and missile strikes against Kuwait earlier, shows a Shahed-136 impact. The U.S. continues to trade strikes with Iran, as targets inside Bahrain and Kuwait are now bearing the brunt of Iranian fires. pic.twitter.com/AC07mtqi96
— OSINTdefender (@sentdefender) July 15, 2026
SHBA shton edhe presionin ekonomik
Paralelisht me operacionet ushtarake, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit. Masat synojnë individë, kompani dhe anije të lidhura me Teheranin, ndërsa autoritetet amerikane njoftuan gjithashtu ngrirjen e portofolëve të kriptomonedhave që lidhen me Iranin, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 130 milionë dollarësh.
Trump: Radha u vjen termocentraleve dhe urave
Presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi se fushata ushtarake nuk do të ndalet. Në një intervistë për FOX Neës, ai deklaroi se bombardimet do të vazhdojnë derisa Irani të pranojë të ulet në tryezën e negociatave. Trump shtoi se, duke nisur nga java e ardhshme, objektivat amerikane mund të përfshijnë edhe termocentrale dhe ura, duke rritur më tej presionin ndaj regjimit iranian.
BREAKING: Trump tells Fox News in an interview that the U.S. military is going to bomb Iran's power plants and bridges next week, if it doesn't come to the table and negotiates pic.twitter.com/ydxNt0jfxv
— Insider Paper (@TheInsiderPaper) July 14, 2026
Irani pretendon sulme ndaj bazave amerikane
Në kundërpërgjigje, Teherani njoftoi se gjatë natës ka ndërmarrë sulme ndaj një baze të madhe ajrore amerikane në Jordani, ku ndodhen avionë luftarakë F-18, si edhe ndaj një baze amerikane në Kuvajt, për të cilën pretendoi se është përfshirë nga flakët. Sipas autoriteteve iraniane, janë shënjestruar gjithashtu objektiva në Kuvajt dhe Bahrein.
Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se zhurmat e shpërthimeve të dëgjuara në Bandar Abbas dhe në qytetet e ishujt e Gjirit Persik ishin rezultat i përplasjeve ushtarake dhe shkëmbimeve të zjarrit në Ngushticën e Hormuzit, mes forcave amerikane dhe atyre iraniane.
Burime të tjera iraniane pohuan se në operacionet në zonë është angazhuar edhe Marina e Gardës Revolucionare. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim të pavarur për këto pretendime.
Garda Revolucionare: Hormuzi do të mbetet i mbyllur
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në përfundimin e asaj që e cilësoi si "veprim agresiv" të SHBA-së.
Në deklaratën e transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB, Garda Revolucionare paralajmëroi gjithashtu se mund të bllokohen edhe rrugë të tjera strategjike të eksporteve të energjisë në rajon.
"Operacionet hakmarrëse do të vazhdojnë dhe Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-të t'i japin fund veprimeve të tyre agresive. Armiku duhet të presë edhe mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që u shërbejnë interesave të SHBA-së dhe aleatëve të saj. Eksportet e naftës dhe gazit nga rajoni ose do të jenë të arritshme për të gjithë ose për askënd", thuhet në deklaratë.
