Presidenti amerikan Donald Trump, të martën hoqi dorë nga ideja e vendosjes së një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat e transportuara përmes Ngushticës së Hormuzit dhe tha se në vend të kësaj do të nënshkruante marrëveshje tregtare dhe investimi me shtetet e Gjirit.
Ndryshimi i planit vjen një ditë pasi Trump propozoi vendosjen e një tarife prej 20% për të ruajtur rrugën ujore.
“Bazuar në biseda shumë produktive me udhëheqjen e Lindjes së Mesme, kam vendosur ta zëvendësoj Tarifën e Rimbursimit prej 20% të Shteteve të Bashkuara me Marrëveshje Tregtare dhe Investimesh që shtetet e ndryshme të Gjirit do të bëjnë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai në një postim në Truth Social.
Presidenti amerikan nuk përmendi asnjë angazhim nga shtetet e Gjirit, duke thënë se "Investimet do të jenë MASIVE, por, në të njëjtën kohë, jashtëzakonisht të mira për to dhe të ardhmen e tyre".
Menjëherë pasi Donald Trump bëri propozimin për tarifën prej 20% të hënën, agjencia e OKB-së për transportin detar tha se kundërshtonte tarifat për anijet që kalonin nëpër rrugët ujore detare, por shtoi se do të priste më shumë detaje se çfarë kishte në mendje Trump.
Në postimin e tij të martën, presidenti deklaroi se Ngushtica e Hormuzit ishte e hapur për të gjithë trafikun detar përveç Iranit.
"Prandaj, do të kemi një bllokadë të plotë, por vetëm për anijet që vijnë nga dhe drejt porteve iraniane, ose që transportojnë çdo gjë që ka të bëjë me ngarkesë iraniane", ka shtuar Presidenti amerikan Donald Trump.

