Çmimi i naftës u rrit me 4% këtë të hënë në tregjet aziatike, pas një fundjave me sulme intensive të SHBA-së ndaj Iranit, pretendimeve të Teheranit se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur sërish për trafikun detar dhe sulmeve iraniane ndaj pesë aleatëve të SHBA-së në rajon.
Kontratat e ardhshme të naftës bruto Brent u rritën me 4%, duke arritur në 79 dollarë për fuçi gjatë tregtimit në Azi, niveli më i lartë në më shumë se tre javë. Tregjet kanë reaguar ndaj frikës se përshkallëzimi i fundit i konfliktit mund të zgjasë më shumë sesa episodet e mëparshme të tensioneve.
Edhe nafta bruto ËTI, indeksi referues amerikan, u rrit me 4.13%, duke arritur në 74.36 dollarë për fuçi.
“Shpresat për një zgjidhje relativisht të shpejtë të përleshjeve të fundit mund të jenë në dyshim pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë fundjavës”, thanë analistët në ANZ.
Gjatë fundjavës, tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan më tej, pasi ushtria amerikane kreu sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj pesë aleatëve të SHBA-së në rajon, përfshirë Bahreinin, Kuvajtin, Katarin, Jordaninë dhe Omanin, i cili ndodhet në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, përballë brigjeve iraniane.

