Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke paralajmëruar se një luftë e plotë do të ishte katastrofike për rajonin dhe botën.
Në një postim në X, ai shprehu shqetësim për sulmet amerikane ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjet iraniane ndaj objektivave në vendet fqinje.
“Këto sulme duhet të ndalen të gjitha”, tha Guterres, duke u bërë thirrje palëve që të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë.
Nga ana tjetër ushtria amerikane njoftoi se ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në qytetin port të Bandar Abbasit dhe në ishujt përreth.
Operacioni amerikan erdhi pas sulmeve iraniane ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein, Katar, Jordani dhe Oman, të cilat Teherani i cilësoi si hakmarrje për goditjet e mëparshme të SHBA-së.
Tensionet mes dy fuqive po rriten ndjeshëm, duke ngritur shqetësime për destabilizimin e rajonit dhe ndikimin në tregjet botërore të energjisë.
