Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione të reja ndaj Iranit, në përgjigje të sulmeve të fundit ndaj anijeve ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit, sipas një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Sipas departamentit, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) ka vendosur sanksione ndaj ndërmjetësit financiar iranian Ali Ansari, i cili, sipas autoriteteve amerikane, menaxhon një rrjet të gjerë global asetesh që u sjellin përfitime Udhëheqësit Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit iranian.
Në deklaratën e tij, Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha se vendimi u mor “pas rifillimit të sulmeve iraniane ndaj anijeve ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit”, duke intensifikuar më tej presionin ekonomik ndaj Teheranit.
Në të njëjtën kohë, OFAC njoftoi lëshimin e Licencës së Përgjithshme Y (Iran General Licence Y), e cila parashikon përjashtime ose licenca specifike për transaksione të caktuara që lidhen me regjimin ekzistues të sanksioneve ndaj Iranit. Detajet e licencës nuk u bënë të ditura në njoftimin fillestar.
