Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, u ka bërë thirrje SHBA-së dhe Iranit të ndalin sulmet ushtarake dhe t’i rikthehen diplomacisë, duke paralajmëruar se vazhdimi i konfliktit po dëmton qytetarët dhe ekonominë globale.
“Vërtet nuk e di se çfarë tjetër mund të bombardojë SHBA-ja në Iran në këtë pikë. Shumica e objektivave janë shkatërruar tashmë”, tha Johann Wadephul.
“Dhe nuk e kuptoj se çfarë kuptimi ka që Irani të vazhdojë bllokadën në këtë pikë. Të qëllosh këto anije ishte sigurisht një gabim i madh”, shtoi ai
Wadephul u bëri thirrje të dyja palëve “të vijnë në vete” dhe të rifillojnë dialogun diplomatik. Sipas tij, negociatat e drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit, në vend të bisedimeve indirekte përmes ndërmjetësve, do të ishin rruga më e mirë përpara.
“Ekonomia globale dhe njerëzit po vuajnë mjaftueshëm”, tha ai. “Dhe unë besoj se ekziston një pritje e përgjithshme që të dyja palët të vijnë në vete, të flasin dhe të negociojnë.”
“Ose, për ta thënë më saktë, ata duhet të fillojnë negociatat”, shtoi Wadephul. “Tani, qëllimi duhet të jetë të flasin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Kjo duhet të jetë përparësi tani”.
