Autoritetet evropiane kanë shkatërruar dy rrjete kriminale me bazë në Spanjë, duke sekuestruar rreth 20 milionë cigare dhe 38.4 ton gjethe e duhan të prerë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes disa vendeve evropiane, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit dhe Europol-it.
Gjatë aksionit u konfiskuan edhe 18 automjete, pajisje për prodhimin e duhanit, pajisje elektronike, 170 mijë euro dhe disa armë zjarri. Deri tani janë arrestuar 50 persona, ndërsa dy të dyshuar iu dorëzuan autoriteteve polake.
Sipas OLAF-it, rrjetet kriminale dyshohen se prodhonin, shpërndanin dhe trafikonin produkte të falsifikuara të duhanit, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 10 milionë eurosh.
Drejtori i OLAF-it, Petr Klement, paralajmëroi se duhani i falsifikuar paraqet rrezik edhe më të madh për shëndetin sesa produktet e zakonshme të duhanit. Ai theksoi se tregtia e paligjshme e cigareve dëmton të ardhurat publike dhe financon krimin e organizuar.
