Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer do të zhvillojë këtë të mërkurë mbledhjen e fundit të kabinetit në Downing Street, duke i dhënë fund zyrtarisht mandatit të tij në krye të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Pas takimit me ministrat, Starmer do të paraqitet për herë të fundit në Dhomën e Komunëve, ku do të përballet me lideren e opozitës konservatore, Kemi Badenoch në seancën tradicionale të Pyetjeve drejtuar Kryeministrit.
Sipas mediave britanike, mbledhja e kabinetit do të shoqërohet edhe me një moment simbolik lamtumire. Bashkëpunëtorët e tij pritet ta surprizojnë me një kartolinë falënderimi dhe një dhuratë përkujtimore, që besohet të jetë një orë tavoline.
Seanca e kësaj të mërkure do të jetë paraqitja e fundit e Starmer në PMQ, përpara se drejtimin e Partisë Laburiste ta marrë Andy Burnham. Ish-kryebashkiaku i Mançesterit të Madh pritet të shpallet zyrtarisht lider i laburistëve të premten, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, ndërsa detyrën e kryeministrit do ta marrë më 20 korrik.
Në ditët e fundit në Downing Street, Starmer ka vijuar angazhimet ndërkombëtare. Ai iu bashkua aleatëve të Ukrainës në takimin e "Koalicionit të Vullnetit", ndërsa më pas mori pjesë edhe në ceremonitë zyrtare të Ditës së Bastijës në Paris.
Dorëheqjen e tij, Starmer e njoftoi më 22 qershor, pas muajsh presioni politik dhe kërkesash nga brenda Partisë Laburiste që t'i hapte rrugë një drejtimi të ri. Në deklaratën e largimit, ai nuk i fshehu emocionet, teksa foli për familjen e tij.
"Kur të lë punën më të madhe në vend, do të kaloj më shumë kohë në punën më të rëndësishme: të jem bashkëshorti më i mirë që mundem për gruan time fantastike, Viki, e cila ka qenë një shkëmb pranë meje në kohë të mira dhe të këqija, dhe të jem babai më i mirë që mundem për fëmijët e mi të mrekullueshëm, të cilët janë krenaria dhe gëzimi im”, tha ai.
Presioni ndaj Starmer ishte shtuar ndjeshëm pas rezultateve zhgënjyese të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale dhe ato të decentralizuara të muajit maj. Brenda partisë u rritën gjithashtu zërat kritikë, me një numër gjithnjë e më të madh deputetësh që shprehën dyshime për aftësinë e tij për të udhëhequr vendin dhe për të përballuar sfidën elektorale të Reform UK, të drejtuar nga Nigel Farage në zgjedhjet e ardhshme.
