Gjykata e Posaçme, këtë të martë, ka marrë vendimin për gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë, të cilët u akuzuan nga SPAK në lidhje me abuzimet me një tender me vlerë 1 milion euro.
Gjashtë zyrtarët e bashkisë, Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini, u akuzuan për shkelje të barazisë në tendera.
Të gjithë zyrtarët u dënuan me nga një vit burg, ndërsa, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu konvertua në shërbim prove dhe liri me kusht.
Konkretisht, Dorjan Spaho, Sara Xhepa dhe Roklejd Malko janë dënuar me 120 orë shërbim prove, ndërsa për Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin, GJKKO ka caktuar liri me kusht për 16 muaj. Po ashtu, atyre u hiqet për pesë vjet e drejta për të ushtruar funksione publike.
Ndërkohë, vijon veçmas gjykimi për kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshin.
