Hapësire reklamuese

Aktualitet

BKH kërkon 40 hetues të rinj, dy specialistë të AMP-së trajnohen nga ekspertët amerikanë për testimin e kandidatëve

Shkruar nga Newsbomb
BKH kërkon 40 hetues të rinj, dy specialistë të AMP-së
Moment nga trajnimi

Dy efektivë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore janë certifikuar si ekzaminues të poligrafit, pas përfundimit të një programi trajnimi të zhvilluar nga ekspertë amerikanë. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një postimi në kanalin e saj zyrtar.

Specialistët e AMP-së kanë përfunduar një trajnim intensiv, gjatë të cilit kanë përvetësuar njohuritë dhe metodologjitë e nevojshme për kryerjen e ekzaminimeve me poligraf, të përdorura ndër të tjera në proceset e vlerësimit dhe verifikimit të integritetit të profesionistëve të fushave të ndryshme.

Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane uroi dy ekspertët e rinj të certifikuar, duke theksuar rëndësinë e këtij trajnimi për forcimin e integritetit në institucionet ligjzbatuese.

“Mbrojtja e qytetarëve duke forcuar integritetin – urime ekzaminuesve të rinj të poligrafit në Shqipëri!

Përmes mbështetjes së ICITAP të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe INL të Departamentit të Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) sapo diplomoi dy ekspertë të rinj të certifikuar të poligrafit, duke përfunduar një kurs intensiv 10-javor të trajnimit bazë dhe metodologjisë së poligrafëve në Akademinë Ndërkombëtare të Poligrafit në Fort Lauderdale, FL.

Ekzaminuesit përfunduan mbi 400 orë trajnimi në testime shkencore, vlerësim të besueshmërisë, metodologji të intervistave dhe etikë, dhe mund të kryejnë ekzaminime si në anglisht ashtu edhe në shqip. Aftësitë e tyre të reja do të mbështesin shqyrtimin dhe verifikimin e integritetit për oficerët e ardhshëm të zbatimit të ligjit – duke e bërë Shqipërinë një partner më të besueshëm në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Certifikimi i dy ekspertëve vjen në një kohë kur Byroja Kombëtare e Hetimit pritet të zgjerojë kapacitetet e saj me rekrutimin e hetuesve të rinj. Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar nevojën për 40 agjentë të rinj, të cilët do t’u nënshtrohen procedurave të parashikuara të përzgjedhjes. Pjesë e këtij procesi është edhe ekzaminimi me poligraf, i cili zhvillohet pas fazave të tjera të testimit që kandidatët duhet të kalojnë për t’u bërë pjesë e trupës së BKH-së.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese