Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në zonën e Shkallnurit, në Durrës. Mësohet se protagonistë të kësaj ngjarje janë Denis Tafili, kushëriri i Elvis Docit, i njohur si "Visi i Pojës", dhe Edison Gjuzi.
Mediat raportojnë se Denis Tafili, i shpallur në kërkim nga SPAK, është konfliktuar me Edison Gjuzin. Dyshohet se fillimisht konflikti ka nisur mes Gjuzit dhe një 27-vjeçari, ndërsa më pas në vendngjarje ka mbërritur Tafili, i cili e ka goditur Gjuzin me qytën e pistoletës.
Më tej, konflikti ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit, ndërsa policia ka gjetur në vendngjarje një gëzhojë.
Bëhet me dije se Denis Tafili është një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së organizatës kriminale "Troplini", ku akuzohet për trafik kokaine dhe pastrim parash.
Njoftim i policisë:
Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.
Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë”, njofton policia.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
