Belere Plaku, e cila mbeti e plagosur pasi u qëllua me armë gjahu nga ish-dhëndri, ka ndërruar jetë. Ajo u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refik Buzi, ish-dhëndër i Kosta dhe Belere Plakut, shkoi në banesën e tyre dhe e qëlloi çiftin, duke lënë të vdekur në vend 58-vjeçarin Kosta Plaku dhe duke marrë peng vajzën e tyre, me të cilën më herët kishte pasur një lidhje.
E reja u lirua pas disa orësh, falë ndërhyrjes së Policisë, ndërsa Refik Buzi nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u dorëzuar dhe u vetëvra brenda automjetit ku ishte ngujuar.
Një snajperist i Forcave Speciale RENEA u vendos në pozicion gati për qitje, mbi kodrën e fshatit Kurjan ku ishte ngujuar Nertil Buzi alias Refit Buzi, për çdo situatë, ndërkohë vazhdimisht pranë makinës janë afruar efektivë dhe drejtues të Policisë.
Ata kanë biseduar në distancë më pak se 5 metra larg, por Nertili refuzonte të dorëzohej.
Kryepolici i Fierit, Erion Ahmeti ka deklaruar për mediat më herët këtë të premte, se i riu nuk pranonte të dilte nga makina dhe qante vazhdimisht, duke ju thënë policëve se do të vriste veten. Fatkeqësisht, ashtu ndodhi.
