Afro dy javë pas atentatit që tronditi Vorën ku shtetasi Edmond Sula alias Ali Sula u eleminua në derë të shtëpisë, mësohet se Gjykata e Tiranës ka dhënë leje për të ushtruar kontrolle në disa banesa në Bërxullë.
Ndonëse hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Sulës prej dy javësh janë në vijim, nga kontrollet e deritanishme nuk është zbuluar ndonjë detaj i ri që mund të hedhë “dritë” mbi ngjarjen.
Megjithatë, blutë bëjnë me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara, gjatë këtyre dy javëve, nëpër banesa të ndryshme, është ndaluar një 43 vjeçar të cilit i është gjetur një armë pa leje. Por Policia nuk ka dhënë detaje nëse personi në fjalë ka gisht apo jo në vrasjen e Edmond Sulës, sipas A2CNN.
Nga ana e bluve dyshohet se në atentatin e kryer me sukses në mesnatën e 12 korrikut, kanë marrë pjesë disa persona.
Siç kemi raportuar dhe më parë, viktima Edmond Sula rezulton se ka qenë më herët i arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj ngjarje e rëndë e ndodhur më 22 gusht 2019 në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë.
Edmond Sula ishte shok i ngushtë i vëllezërve Albano dhe Bujar Kusi, në pronën e të cilëve ndodhi vrasja e Indrit Çelajt.
Në atë kohë, Sula u arrestua nën dyshimet për veprat penale "Vrasje me dashje në bashkëpunim", "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve" si dhe "Përkrahje e autorit të krimit", duke u akuzuar se kishte ndihmuar Albano Kusin pas ngjarjes. Megjithatë, pavarësisht akuzave të rënda ai arriti të lirohej nga burgu.
Bashkë me Edmond Sulën u arrestuan edhe Ferdinand Bakalli dhe Luan Çakaj, të akuzuar për veprat penale "Moskallëzim krimi" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Më pas në vijim të hetimeve në pranga ranë edhe Griseldo Kusi, Lorenc Veliaj dhe Bujar Kusi.
Ndërkohë, Albano Kusi vijon të jetë në kërkim, edhe pse ndaj tij ekziston një vendim dënimi i formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Tiranës.
Vrasja e Indrit Çelajt tronditi opinionin publik në verën e vitit 2019. Sipas hetimeve tekniku i kondicionerëve kishte shkuar në biznesin e Bujar Kusit për të instaluar një sistem kondicionimi, kur pas një konflikti të çastit për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit, situata degradoi në përdorimin e armës.
Ishte Griseldo Kusi ai që e qëlloi Indrit Çelajn me armë zjarri në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës dënoi Griseldo Kusin me 12 vite burg, ndërsa vëllai i tij, Albano Kusi, u dënua me 2 vite burg. Ky i fundit vijon ende të jetë në kërkim nga autoritetet.

