180 mijë paund, dyshohet të jenë shkaku që i mori jetën 58-vjeçarit Kosta Plakës, i cili mëngjesin e sotëm u qëllua për vdekje me çifte nga partneri i vajzës së tij, Refit (Nertil) Buzi.
Në 9 vite fejesë, e reja Rozalinda Plaka e cila studion për mjekësi, arriti t’i merrte partnerit të saj Refit (Nertil ) Buzi shuma të majme parash, të cilat thuhet se i dorëzonte te familja e saj.
Ndonëse “ushqeheshin” me lekët e të riut, që më parë ka qenë i fejuar i vajzës së tyre, familja Plaka kundërshtonte që vajza e tyre të ribashkohej me Refit Buzin, raporton newsbomb.al.
Edhe pse ishte në dijeni se familjarët nuk duan ta shikojnë krah të 35-vjeçarit, e reja mbante me shpresa Refit Nertilin, duke i thënë se së shpejti do të jenë bashkë. Ky detaj, që në pamje të parë nuk duket dhe aq i rëndësishëm, i dha zemër Nertilit, i cili paratë e fituara ndër vite si emigrant në Angli i dorëzonte te vajza që dashuronte, duke lënë “në harresë” prindërit e tij.
Kanë qenë prindërit e të riut, ata që kanë zbuluar këto detaje të cilat çuan në vrasjen e kryefamiljarit të familjes Plaka, plagosjen e gruas së tij dhe rrëmbimin e vajzës së tyre Rozalinda. Kjo e fundit, disa orë pas rrëmbimit u la e lirë nga partneri i saj. E reja bëhet me dije se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërsa partneri që i vrau babanë për para, deri në këto momente nuk është dorëzuar akoma.
RENEA dhe Policia po vijojnë me negociatat që ai të vetë-dorëzohet për krimin që shokoi mëngjesin e kësaj të premte mbarë vendin.

