Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 43-vjeçar, i cili mbante në banesë një armë zjarri pistoletë me municion, pa leje.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga është vënë shtetasi Juljan Koni, 43 vjeç, banues në fshatin Bërxullë, Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe shtatë fishekë, të cilat posedoheshin pa leje.
43-vjeçari akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Risku”, për kapjen e shtetasve të armatosur, të cilët përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale kundër personit.
Arrestohet në fshatin Bërxullë, një 43-vjeçar që mbante pa leje, në banesë, pistoletë me municion.
Sekuestrohen arma e zjarrit, si dhe krehri i saj, me 7 fishekë.
Si rezultat i punës parandaluese, të bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, me objektiv goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të cilët dyshohen për përfshirje në ngjarje kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda finalizuan operacionin e koduar “Risku”, gjatë të cilit, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u krye kontroll në banesën e shtetasit J. K., 43 vjeç, në fshatin Bërxullë.
Në banesë u gjet 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe 7 fishekë, që posedohej pa leje, nga 43-vjeçari, i cili në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
