Kryeministri Edi Rama është duke ju drejtuar në këto momente deputetëve të Grupit Parlamentar të PS dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, me atë që e ka paralajmëruar si një fjalim reflektues pas protestës së flamingove nën zyrën e tij.
Ndër të tjera në fjalën e tij, Kryeministri citoi filozofin e njohur Alexis de Tocqueville, duke thënë se dikur ka shkruar: “çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”
Duke u shprehur më tej se në fakt në këto kohët e fundit gjërat që kanë ndryshuar ai dhe Partia Socialiste janë të shumta.
"Alexis de Tocqueville na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë “çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat” dhe shembujt e ndryshimit janë të panumërta, rreziku është tani më i lexueshëm.
Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar e jo më gjykuar një zyrtar i lartë, asnjë. Korrupsioni ishte pranuar si të ishte fataliteti i një fatkeqesie natyrore”, tha ai.
Më tej kryeministri ka treguar se këto ndryshime të shumta kanë ndodhur me reformën e drejtësisë, apo me ofrimin e shërbimeve online, ku sipas tij njerëzit nuk kanë më pse të presin me orë të tëra në radha.
Po ashtu Rama, ka treguar edhe njëherë historinë e nënës së një mikut të tij, e cila kishte dalë në protestë për shkak se kishte një përvojë "të hidhur" me poliklinikën ku shkonte çdo ditë pa dalë dielli për të pritur radhën për të marrë shërbim. Rama drejtuar të vetëve thotë se ata mund t’i tregojnë asaj gjithë spitalet që janë ndërtuar, apo investimin që është bërë në to me pajisje të reja, por ajo ka përvojën e saj dhe synimi duhet të jetë të ndryshohet përvoja.
“Ne mund t'i tregojmë asaj gjysheje se sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë për spitalet, janë fakte si drita e diellit por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma, duhet të ndryshojmë ne, që përvoja e saj të ndryshohet.”, është shprehur Rama ndër të tjera.
Më tej në lidhje me këto ai ka cituar edhe një tjetër shprehje të Alexis de Tocqueville, “ Abuzimet që zdhuken e bëjnë më të padurueshme zbuzimet që ngelen”.

