Kryebashkiaku i Memaliaj, Albert Malaj ka dalë me një deklaratë publike kundër çdo vendimi për shkrirjen e bashkisë që ai drejton, në kuadër të bisedimeve për një Reformë të re Territoriale, e cila siç është raportuar, do të shkrijë disa bashki të vogla.
"Bashkia Memaliaj shpreh kundërshtimin e saj të qartë ndaj çdo nisme që synon shkrirjen e këtij institucioni dhe bashkimin e tij me një njësi tjetër vendore, pa vullnetin e qytetarëve dhe pa një proces të hapur konsultimi.
Memaliaj është një komunitet me histori, identitet, kulturë, tradita dhe sakrifica të trashëguara ndër breza. Është shtëpia e 53 fshatrave të krahinës së Toskërisë, të cilat kanë ruajtur ndër vite zakonet, vlerat dhe karakterin e tyre", shkruan Albert Malaj.
Kryebashkiaku thekson se çdo vendim që cenon këtë identitet është një goditje ndaj historisë, kujtesës dhe dinjitetit të një komuniteti të tërë. Sipas tij, reformat territoriale duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo t’i largojnë ata nga institucionet.
"Shkrirja e Bashkisë Memaliaj do të sillte pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata: largimin e shërbimeve publike nga qytetarët, rritjen e distancës mes administratës dhe banorëve, humbjen e vendeve të punës, dobësimin e zhvillimit ekonomik lokal dhe shtimin e fenomenit të shpopullimit", vijon deklarata.
Kryebashkiaku Albert Malaj thotë se si drejtues i bashkisë Memaliaj, ai kërkon që zëri i banorëve të dëgjohet, sepse asnjë reformë territoriale nuk mund të ketë legjitimitet nëse ndërtohet mbi vullnetin e mohuar të komunitetit.
"I bëjmë thirrje Komisionit të Reformës Territoriale, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse të reflektojnë mbi këtë proces dhe të mos marrin vendime që cenojnë interesin e një komuniteti të tërë. Bashkia Memaliaj do të jetë në krah të qytetarëve të saj dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet demokratike të drejtën për të ekzistuar si njësi e pavarur e qeverisjes vendore", përmbyllet deklarata.
