Seanca parlamentare vijon të shoqërohet me tensione mes maxhorancës dhe opozitës, shkaku i të cilës pak para minutash u bë replika e Blendi Klosit me Sali Berishën.
Pas akuzave të demokratëve se qeveria është fajtore për situatën e krijuar së fundmi, ku qytetarët përplasen me Policinë e Shtetit, Klosi i kujtoi Berishës dy nga momentet më të bujshme të liderit demokrat: Përplasja me armë zjarri në ’98-tën si dhe protestën e 21 janarit, ku humbën jetën 4 persona dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.
Fjala e Klosit “provokoi” Berishën, i cili shpërtheu me akuza ndaj tij, duke e cilësuar socialistin një bixhozxhi. Gjuhë për të cilën kryeparlamentari i tërhoqi vëmendjen.
Përplasja mes dyshes u shoqërua dhe me reagime të rrufeshme nga demokratët, të cilët u ngritën peshë duke bllokuar për të marrë sërish fjalën e duke bllokuar foltoren.
Replikat mes Berishës dhe Klosit:
Blendi Klosi:
Kemi bërë ne dhe ju protesta në këtë vend, por ama protesta me armë keni bërë vetëm ju. Ajo që keni bërë ju nuk është një gjë e re, mbase deputetët e rinj harrojnë, nuk mbajnë mend. Në 1998 dhe 21 janar të 2011, ti ke gjuajtur me armë Sali Berisha.
Ne përfaqësojmë Shqipërinë i nderuar, i cili vitin e ardhshëm do të mbajë dy samite, ngjarje historike.
Mbani qëndrimin tuaj për protestën, por pranojeni se nuk e konkurroni dot Partisë Socialiste.
Sa i përket hartës territoriale, nuk ka kohë.
Replikë Berisha: Ulu mblidh letrat e bixhozit. Përfaqëson bixhozin më të keq me paratë e qytetarëve.
Ai për bixhoz është i aftë të shesë gjithçka. Përfaqësoni skandalet e këtij vendi. Përfaqësoni krimet më të shëmtuara ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilat i katandisët, 1 milionë e ca shqiptarë rrugëve të botës.
Del e bën këtu avokatinë e Edi Ramës, njeriut që sot është më i dangosuri në Europë.
Klosi: Nuk kam asgjë për të thënë, po i drejtohem kolegëve të opozitës: Ka 35 vite në këtë Parlament, akoma nuk i ka ikur ndjesia e sekretarit të partisë, dhe për gënjeshtra që i ka thënë prej shumë vitesh. Unë i them ke vrarë njerëz, ke qëlluar mbi protestues, ai vazhdon në parlament. Për ne le të vazhdojë.
