Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, pas mbledhjes së Qeverisë, ka bërë me dije se është marrë vendimi për të dërguar një togë ushtarake në brigadën shumëkombëshe që ndodhet në Rumani. Sipas Nufit, ky është një vendim që lidhet me angazhimin e qeverisë shqiptare për misionet ndërkombëtare.
“Sot, në mbledhjen e Qeverisë, u vendos për dërgimin e një toge në brigadën shumëkombëshe që ndodhet në Rumani. Ky vendim është pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për misionet ndërkombëtare. Pjesëmarrja e trupave tona është në kuadër të sigurisë kolektive të aleancës”, tha ai.
Po ashtu, Nufi ka bërë të ditur se për këtë vit buxheti i Mbrojtjes ka arritur në 2.6% të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Ministri tha se deri në vitin 2030, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes do të arrijë në 5%, në kuadër të objektivave të vendosura për të gjitha vendet e NATO-s.
“Buxheti për mbrojtjen e vendit është plotësuar në masën 90% gjatë viteve të shkuara. Sa i përket vitit 2026, Shqipëria, përmes aktit normativ, ka rritur shpenzimet jo në masën 2.2%, që ishin tashmë të alokuara, por në 2.6% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo është një rritje që po ndodh në të gjitha vendet e NATO-s dhe synimi është që deri në vitin 2030 të arrihet niveli 5%, sipas objektivave të miratuara në Samitin e Hagës”, u shpreh ai.
Sa i përket kredisë prej 300 milionë dollarësh me SHBA-në, Nufi tha se me këtë hua do të blihen pajisje dhe sisteme që janë të nevojshme për Forcat e Armatosura.
“Marrëveshja, së cilës ju i referoheni, me SHBA-në për marrjen e disa sistemeve, pajisjeve dhe mjeteve që u nevojiten Forcave të Armatosura, lidhet me përmbushjen e kritereve të vendosura nga NATO. Forcat e Armatosura kanë një plan për zhvillimin e tyre, i cili nuk ka nisur sot, por është në vijimësi. Kjo kredi lidhet me blerjen e këtyre aseteve dhe mjeteve për Forcat e Armatosura. Shpenzimet e kryera janë të deklaruara”, deklaroi ai më tej.
Gjithashtu Nufi deklaroi se Shqipëria do të dërgojë oficerë të shtabit në Gaza, por ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë numri i tyre. Vendimin, tha ministri, do ta marrin javën e ardhshme.
"Javën që vjen, do të marrim vendimin, Shqipëria ka marrë një angazhim dhe lidhet me faktin që do të dërgojmë oficerë të shtabit në Gaza. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave, kemi bërë një shqyrtim të rrethanave në Gaza dhe do të dërgojmë oficerët e shtabit. Samiti i NATO-s është vendosur që do të zhvillohet në Shqipëri. Në lidhje me zhvillimin e samiteve vendosen nga krerët e shteteve. Samiti do të zhvillohet në 2027, ose jo, kjo gjë do të merret nga krerët e shteteve anëtare", tha ai.
