Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka refuzuar të marrë pjesë në seancën gjyqësore të kësaj të marte në Gjykatën e Posaçme, pavarësisht se sot është seanca e radhës e gjyqit me themel. Vendimi i tij vjen pas mospranimit të një kërkese të kryebashkiakut për SPAK.
Erion Veliaj kërkon nga organi i akuzës dhe togat e zeza që të mos qëndrojnë në kafazin e qelqtë gjatë procesit gjyqësor, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh, ashtu si për Ilir Metën më herët dhe të tjerët.
Ndodhur në këto kushte, kryebashkiaku i Tiranës ka refuzuar të paraqitet në seancën e gjykimit me themel, për sa kohë i mohohet kërkesa e tij.
Nuk dihet se çfarë do të vendosë Gjykata e Posaçme, pasi edhe avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, zoti Plarent Ndreca ka kërkuar shtyrjen e gjykimit me themel sepse është duke marrë pjesë në një proces tjetër në Gjykatën Civile të Tiranës, ku përfaqëson Arbjan Maznikun.
Ai ka pretenduar se ndodhet në pamundësi objektive për të marrë pjesë në seancën ndaj Veliaj, duke detyruar togat e zeza që të vendosin të pezullojnë afatet e paraburgimit për kryebashkiakun.
Në seancën e kësaj të marte nuk është paraqitur as bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ka kërkuar pezullimin e gjykimit sepse sapo ka lindur dhe mjeku i ka rekomanduar që ta vazhdojë regjimin e post-shtatzënisë. Gjithashtu, vetë Xoxa pretendon se nuk është kushtet më të mira shëndetësore për të realizuar një mbrojtje efektive.
Ajo nuk ka marrë pjesë sot në gjyq dhe është përfaqësuar nga avokatët Gurali Brahimllari dhe Maksim Haxhia.
Kërkesa është kundërshtuar dhe nga prokurorët Altin Dumani e Ols Dado, të cilët janë shprehur se ligji parashikon shtyrje dhe jo pezullim. Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxës, edhe pas pretendimeve të Prokurorisë së Posaçme se ajo nuk është paraqitur asnjëherë personalisht në gjyq, edhe para shtatzënisë.
