Kryeministri Edi Rama është në këto momente në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në llogarinë e tij në "Facebook", ku po jep sqarime për disa nga projektet e inicuara nga qeveria e tij, si dhe po u përgjigjet komenteve në kohë reale.
Ai e ka nisur komunikimin "live" me Paketën e Maleve, për të gjithë ata qytetarë që duan të transformojnë pronën e tyre, me dokumente të rregullta apo të trashëguar nga të parët e tyre, duke e kthyer në histori suksesi me sipërmarrje të ndryshme.
Edi Rama është nisur për në Theth dhe gjatë udhëtimit me automjet, po zhvillon këtë bisedim të drejtpërdrejtë me ndjekësit dhe qytetarët e ndryshëm, të cilët i komentojnë në kohë reale, ndërsa ai herë pas herë ndërpret fjalën për të lexuar disa prej tyre.
Kryeministri ka përmendur disa nga agroturizmet më të njohura në vend, duke i vlerësuar drejtuesit e tyre për transformimin e jashtëzakonshëm që u kanë dhënë zonave gati të harruara nga veriu në jug, duke i kthyer në destinacione popullore.
Gjithashtu, Edi Rama u ndal edhe te projekti tjetër i qeverisë shqiptare, i quajtur "Dyfisho sipërmarrjen". Në një kohë kur kostot dhe kursi i euros po rëndojnë bizneset, shumë sipërmarrje operojnë me qira dhe nuk kanë prona për të lënë kolateral, shteti garanton deri në 70% të kredisë, nga një fond total prej rreth 250 milionë eurosh.
Pra, shteti garanton dhe ti investon, kurse sipërmarrja dyfishohet.
